SARANDË- Qyteti i Sarandës u trondit mbrëmjen e së hënës nga një shpërthim i fuqishëm me tritol. Policia thotë se lënda plasëse i është vendosur një automjeti të parkua, i cili ëahtë hedhur në erë.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 3 rreth orës 23:50.
“Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas”, njoftoi Policia.
Policia thotë se si pasojë e shpërthimit nuk raportohet për persona të lënduar, pasi mjeti ka qenë i parkuar pranë një pallati. Hakmarrja po hetohet si një nga pistat kryesore, pasi pronar i mjetit rezulton Klaus Jaçaj 31 vjeç.
Ai është shpallur në kërkim nga policia vetën 4 ditë më parë pas një sherri për pronësi. Sakaq, 31-vjeçari akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan dy të rinj pas sherrit për pronën në bregdet. Grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

