Një transformator i tensionit të lartë ka shpërthyer në autostradën Tiranë- Durrës, ku një punëtor humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Policia thotë se transformatori shpërtheu si pasojë e një shkëndije elektrike, ndërsa OSHEE theksoi se, punëtorët kanë tentuar të shkëpusin rrymën elektrike ne linjën 110 kV të OST, çka ka shkaktuar masë.
Një punëtor humbi jetën nga shpërthim i fuqishëm i një transformator elektrik në një objekt në ndërtim.
Ndërkohë mbetën të plagosur edhe dy punonjës të tjerë të kompanisë së ndërtimit, të cilët u dërguan në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në repartin e djegieve.
Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas mjekëve ka ndërruar jetë Gjergji Sula, dhe u plagosën Fari dhe Sari Çollaku.
Ekspertët pohuan se, transformatori shpërtheu si pasojë e një shkëndije elektrike, ndërsa për ngjarjen reagoi edhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke shtuar se, “kompania private, ishte duke kryer punime në autostradë, ku dy punëtorë të kësaj firme kanë tentuar të shkëpusin rrymën elektrike ne linjën 110 KV të OST, çka ka shkaktuar masë”, thuhet në njoftimin për mediat.
Pas këtij shpërthimi ka mbetur për rreth 1 orë pa energji bizneset përgjatë autostradës, konkretisht në zonë Kamzës, Vora dhe Mëzez. Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar të gjithë praktikën e ndjekur nga punëtorët firmës private për të ndërhyrë në linjën e tensionit të lartë./ABC News Albania 24/7