Një bombol gazi ka shpërthyer në fshatin Troshan të Lezhës. Mësohet se si pasojë e shpërthimit ka mbetur e lënduar një grua, Gjyste Luka. E lënduara është nisur për të marrë kujdes shëndetësor në Tiranë.
Ndërkohë, pamjet e siguruara nga ABC në vendin e ngjarjes tregojnë se banesa është shkatërruar tërësisht si pasojë e tërmetit. Një banor i zonës madje e krahason me Gërdecin.
“Si shpërthimi i Gërdecit. Super i fuqishëm. U trembëm, u bëra kureshtar të dija çfarë kishte ndodhur. Isha nja 1 km afër.”
Kurse, pronari i shtëpisë tregon se prej një muaji nuk ndodhej në shtëpi me bashkëshorten pasi kishin qenë në SHBA dhe vetëm së fundmi ishin kthyer. Bombolën e kishte mbushur në qytet dhe thotë se madje edhe e kishte provuar me shkrepse dhe i kishte rezultuar se nuk kishte rrjedhje.
Por, shton ai, ndoshta ka rrjedhur gjatë natës në pianurën e sobës. Sa i përket bashkëshortes, duket se ajo ka marrë lëndime serioze në fytyrë.
NJOFTIMI
Lezhë / Informacion paraprak
Rreth orës 11:25, në fshatin Troshan, Lezhë, tek banesa e shtetasit M.L. ka shpërthyer një bombël gazi ku për pasojë janë shkaktuar dëme materiale në banesë si dhe është lënduar shtetasja Gj.L. 67 vjeçe, e cila është dërguar për mjekim më të specializuar në QSU Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. /abcnews.al/