Policia greke ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me operacionin për kapjen e një grupi trafikantëshg të drogërave të forta, mes të cilëve edhe dy shqiptarë.
Deri më tani krahas shqiptarëve është arrestuar edhe një kroat.
Mediat e Athinës raportojnë se janë sekuestruar 104 kilogramë kokainë dhe një shumë parash që varion nga 500 mijë-600 mijë Euro.
Aksioni policor u zhvillua në një apartament në Athinë.
Qeset e kokainës ishin të fshehura brenda një ene të mbushur me rërë. Pakot e ‘pluhurit të bardhë’ ishin të stampuara me mbishkrimi apo logo të ndryshme.
Në disa shkruhej ‘Show Time’ (koha për shfaqje) dhe në të tjera kishte imazhe të ndryshme. Operacioni i Policisë së Athinës është organizuar në bashkëpunim me DEA-n amerikane.
Sipas autoriteteve greke, organizata kriminale ishte e strukturuar mjaft mirë dhe profesionale. Kjo duket në sasinë e madhe të lëndës narkotike, logot e vendosura mbi pako dhe organizimin e tyre.
Në mesin e tre të arrestuarve është edhe drejtuesi i këtij rrjeti. Ky i fundit ishte përgjegjës për blerjen, ruajtjen dhe shpërndarjen e kokainës.
Anëtari i dytë ishte përgjegjës për sigurinë dhe transferimin tek blerësit, ndërsa i treti ishte përgjegjës për mbledhjen e parave.
Policia sqaron se organizata kriminale do të fitonte 5 milionë Euro nëse kjo sasi kokaine do të hidhej në treg.