Për të shmangur luftën tregtare me vendet që konsiderohen aleatë të Shteteve të Bashkuara, presidenti Donald Trump ka lëshuar pe, duke u propozuar shteteve anëtare të G7-s një tregti pa tarifa dhe rrjedhimisht pa pengesa.
Presidenti Donald Trump u ka propozuar vendeve anëtare të G7-s heqjen e tarifave, në një kohë kur shtetet në fjalë po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet tregtare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti amerikan, në një konferencë ku i ka cilësuar bisedimet me liderët e tjerë si “jashtëzakonisht produktive”, pavarësisht tensioneve të shkaktuara nga vendimi i tij i mëparshëm për rritjen e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar. Duke vënë në dijeni gazetarët para largimit nga Kebeku, Trump ka mohuar që samiti i G7-s të ketë jetë karakterizuar nga grindjet.
“Pa tarifa, pa pengesa. Kështu duhet të jetë. Ua thash edhe atyre, pa tarifa për të pasur një tregti të drejtë dhe reciproke”, ka thënë Trump.
Sidoqoftë, ai i ka qëndruar besnik deklaratave të mëparshme se të tjerët kanë përfituar nga Shtetet e Bashkuara për dekada me radhë dhe e ka përshkruar Amerikën si një kumbara nga e cila vjedhin të gjithë. Sidoqoftë, për këtë Trump nuk ka fajësuar liderët e G7-s, por parardhësit e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë. Pavarësisht ofertës, presidenti u është përgjigjur edhe paralajmërimeve të Kanadasë, Meksikës dhe BE-së për zbatimin e masave reciproke.
“Do të ishte një gabim. Nëse një luftë tregtare fillon, Amerika fiton një mijë herë nga një mijë”, ka shtuar Trump.
Ecurinë pozitive të takimit e ka pohuar edhe kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte.
“Është diskutuar shumë për taksat, tarifat dhe pengesat. Mund të them se kemi arritur një marrëveshje dhe se të gjithë kemi rënë dakord se sistemi i tregtisë bazuar në rregulloren e OBT-së kërkon një reformim, për t’u përshtatur me realitetin e sotëm social dhe ekonomik”, ka thënë Conte.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur për zhvillime pozitive, por ka përmendur edhe atë që e ka quajtur vetizolimin e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e klimës./abcnews.al