Shkodranët me mungesa, Dedja: Vllaznia ka objektiv më të madh se Kukësi!

schedule11:39 - 18 Korrik, 2020

schedule 11:39 - 18 Korrik, 2020

Vllaznia përballet nesër me Kukësin në shtëpi dhe synimi është marrja e tre pikëve. Trajneri Hysen Dedja është i kënaqur me atë që ekipi i tij ka dhënë këtë periudhë në seancat stërvitore dhe këtë e ka shprehur edhe në konferencën e sotme për shtyp.

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra e përkushtimit në seancat stërvitore, gjë që e kanë shprehur edhe në dy takimet e fundit, pavarësisht rezultatit në Korçë. Dhe po me këtë objektiv stërvitemi e me të njëjtën psikologji do të futemi në fushë, me synimin e vetëm që ne të marrim rezultat pozitiv.

Kuptohet që nuk jemi duke menduar fare se në çfarë vendi jemi në tabelën e klasifikimit. Pra, them se gjendja e ekipit në prag të ndeshjes me Kukësin është e mirë”, deklaron Dedja, para medieve, ndërkohë që më pas ai flet edhe për mungesat që do të ketë në këtë përballje të vështirë me verilindorët.

“Do të kemi sërish mungesa. Këtë herë nuk do të kem të gatshëm Gurishtën, i cili është me kartonë. Po ashtu edhe Malotën që është i pezulluar nga Disiplina. Nga ana tjetër, nuk do të jetë i gatshëm as Hygor që nuk është stërvitur me skuadrën këto ditë, si dhe dihet që mungon edhe Gligorov që është larguar para tre javësh. Këtyre mungesave u shtohet edhe ajo e Ramadanit, i cili është i dëmtuar dhe prej kohësh mungon në stërvitje me ekipin.

Në lidhje me objektivin kundër Kukësit, Deda shton: “Do kërkojmë edhe ne fitoren e këtij takimi. Kjo sepse objektivat tona për momentin janë më të mëdha se ato të Kukësit. Përderisa matematika na mban në lojë, ne do luftojmë deri në fund për t’iu shkëputur vendit të tetë. Patjetër që futbollistët kanë besim, përderisa janë aq të përkushtuar, siç e thashë edhe më lart. Duke shikuar dy takimet e fundit, kam shumë besim se do ia dalim”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!