Hetimet në Shkodër kanë zbuluar se ndaj biznesmenit Xhevat Vataksi është qëlluar për t’u vrarë me gjashtë plumba. Autori e akuzonte se po i grabiste pronën, ndërsa firma e tij ishte duke ndërtuar rrugën Shkodër – Velipojë.
Biznesmeni Xhevat Vataksi është qëlluar për t’u vrarë. Autori ka shtënë në drejtim të tij gjashtë herë, tre nga plumbat prekën pjesën e poshtme të trupit të tij.
Me këtë konkluzion kanë dalë ekspertët, të cilët po hetojnë ngjarjen e së shtunës në Bërdicë të Shkodrës.
Bazuar edhe tek dëshmitë debati mes biznesmenit Xhevat Vataksi dhe autorit të dyshuar, Artur Lushi, nisi për shkak se rruga Shkodër-Velipojë prek një pjesë të pronës së Lushit.
Megjithëse Vataksi i ka shpjeguar se është thjeshtë zbatues punimesh si nënkontraktor, kundërshtari nuk është bindur.
Ndaj dy ditë më pas, të shtunën, Artur Lushi, 43 vjeç, pronar i një lokali dasmash në Bërdicë shkoi në kantier, ku makineritë dhe punonjësit e firmës, pronë e shtetasit Vataksi ishin duke punuar në ndërtimin e rrugës.
Ai nisi t’i pengonte dhe në këtë situatë ka mbërritur edhe Vataksi, i cili i kërkoi Lushit të bisedonin.
Por sapo është afruar, autori ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij dhe tre plumba e prekën në këmbë.
Ishin punonjesit e firmës së tij që njoftuan policinë, e cila akoma është në kërkim të 43-vjeçarit, kurse Xhevat Vataksi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al