Shkodër, 4 të lënduar. Mes tyre edhe nëndrejtori i policisë

schedule21:00 - 20 Qershor, 2019

schedule 21:00 - 20 Qershor, 2019

Në kohën kur kryeministri Edi Rama po mbante takimin elektoral në Vaun e Dejës, protesta-marshim, e paralajmëruar nga simpatizantët e PD-së në Shkodër, është mbajtur mes tensionesh.

Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë për të arritur në sheshin ku do të mbante Kryeministri Rama mitingun e radhës, pas atij ne Vaun e Dejës.

Por policia u është përgjigjur me gaz lotsjellës.

Turma është shpërndarë dhe më pas është afruar serish duke gjuajtur me gurë dhe mjete të tjera rrethanore efektivet e policisë.

Mësohet se nëndrejtori i Policisë Shkodër, një burrë dhe një fëmijë kanë mbetur të lënduar nga gazi lotsjellës ndërsa një grua ka humbur ndjenjat.

Protesta e simpatizantëve të opozitës ka vijuar deri rreth orës 21.00, kur Kryeministri Edi Rama ishte larguar nga qyteti i Shkodrës.

Vendi ku u organizua marshim-protesta e simpatizantëve të PD-së është pranë zonës ku u zhvillua takimi elektoral i Kryeministrit Edi Rama. Qëllimi i protestuesve ishte pikërisht pengimi i mitingut të Partisë Socialiste.

Protesta është udhehequr nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi, e cila theksoi se, me anulimin e zgjedhjeve nga Presidenti Meta mitingu i PS ishte i paligjshëm./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!