“Asnjë projekt energjitik nuk bëhet për të pasur rezultate të menjëhershme. Dhe për këtë arsye, kriza aktuale energjitike nuk mund të zgjidhet me projekte të nisura në këtë kohë.”
Kështu është shprehur Nagip Krasniqi, drejtor i kompanisë Elektro-Energjitike të Kosovës, në një lidhje direkte me emisionin “Ballkan” nga Linda Karadaku kur u pyet për mundësitë e bashkëpunimit me KESH-in shqiptar.
Kështu, sipas tij KEK-ut dhe KESH-it i mbetet që të ndihmojnë njëri-tjetrit me mundësitë që kanë aktualisht dhe me optimizimin e sistemeve.
Po ashtu, Krasniqi tregoi edhe detajet e marrëveshjes së KEK me MCC.
“Ajo çfarë është thënë në takim është që MCC do të ofrojë bateri për depozitimin e energjisë. Funksionimi i tyre i parë është optimizimi i fushave solare dhe funksioni i dytë do të mund të mundësojë që kur kemi tepricë prodhimi, do të depozitohet në bateri që të përdoret në kohën e pikut të konsumit.”
Megjithatë, drejtori i KEK theksoi se këto janë projekte që duan të paktën 5 vite që të implementohen.
“Kemi pasur disa takime me kompani të ndryshme dhe po analizojmë mundësinë e ndërtimit të termocentraleve që janë të bazuar në gazifikim. Nuk janë projekte afatshkurtra. Po e konsiderojmë që të përfshihet në strategjinë tonë. Nuk është adresim për krizën tani as për vitet e ardhshme. Kemi rezerva shumë të mëdha, dhe do të shohim si mund ta përdorim.” /abcnews.al/