Shkëmbi me dhimbje koke, pa gjysmën e mbrojtjes ndaj Tiranës

schedule11:59 - 28 Tetor, 2019

schedule 11:59 - 28 Tetor, 2019

Teuta mori një pikë në Ballsh, në një ndeshje që ishte mjaft e luftuar. Për mënyrën se si shkoi loja, durrsakët mund të mposhteshin ose të fitonin në 15 minutat e fundit. Ekipi i drejtuar nga Bledi Shkëmbi pati disa raste shënimi, por nuk ia doli dot.

Tashmë fokusi do të jetë te ndeshja e radhës, me Tiranën. “Djemtë e Detit” do të rikthehen në shtëpi pas dy transfertash, ndërkohë që trajneri korçar duhet të gjejë një zgjidhje për mbrojtjen. Dy lojtarë të Teutës nuk mund të aktivizohen ndaj bardhebluve.

Kapiteni Renato Arapi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë në sfidën me Bylisin dhe do të duhet të shlyejë pezullimin. Veç mbrojtësit të djathtë, edhe Blagoja Todorovski do të mungojë, pasi u ndëshkua me karton të kuq një ditë më parë.

Silvester Shkalla është opsioni kryesor për qendrën e mbrojtjes, ndërkohë që mbetet të shihet se kush do të përzgjidhet nga Shkëmbi për linjën e djathtë të prapavijës. Ndaj Partizani ishte i riu Lorenc Vila që luajti 45 minuta, për shkak se Fabian Beqja vinte pas një dëmtimi dhe nuk kishte ritmin e duhur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!