Shkëmbi: E kam parë ekipin të shokuar nga tërmeti, tifozë na mbështetni!

schedule13:48 - 7 Dhjetor, 2019

schedule 13:48 - 7 Dhjetor, 2019

Bledi Shkëmbi, trajneri i Teutës, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Skënderbeun. Fillimisht ai ka treguar gjendjen e skuadrës, që ka kaluar një moment të vështirë prej tërmetit të 26 nëntorit.

“Ka qenë moment i vështirë për të gjithë lojtarët dhe qytetin e Durrësit. Dita-ditës kemi punuar, kemi qenë bashkë dhe shpresoj që kemi bëmë më të mirën në aspektin psikologjik. Periudha e pushimit nuk ndikon mirë për të gjitha gjërat. Ishte e ndikuar nga ajo tragjedi që ndodhi. Ka ndikuar të rikuperohet ndonjë lojtar dhe shpresoj të jenë të gjithë në maksimumin nesër”, është shprehur Shkëmbi.

Korçari ka një mesazh për tifozët: “Në te gjithë bashkë, ky qytet duhet të bashkohet për ta kaluar këtë situatë. Klubi dhe futbollistë janë solidarizuar për ta bërë sa më pak të dhimbshme këtë situatë. Shpresojmë që tifozët, të paktën nesër, të afrohen dhe të jenë të shumtë për t’u solidarizuar me këtë situatë të vështirë që ka kaluar ky qytet”.

Tërmeti kishte lënë pasoja edhe te futbollistët, gjë që e pranon edhe Shkëmbi: “Ditën e parë e kuptova shumë mirë se çfarë kishte ndodhur te mendja e lojtarëve. I pashë të shokuar. Pashë një ekip ndryshe, jo të përqendruar te stërvitja, por tek ajo që ndodhi. Ditët e fundit kam parë dëshirë tjetër, përqendrim, një ekip që është mësuar të stërvitet. Uroj të jetë hera e fundit që ndodh një situatë e tillë. Ka qenë e vështirë në ditët e para”.

Në lidhje me sfidën me Skënderbeun, trajneri i Teutës deklaron: “Pres një ndeshje të vështirë, ku duhet të kemi motivim të madh për të fituar. Luajmë ndaj një kundërshtari që po paraqitet shumë mirë, unë e kam thënë shumë herë. Duhet të gjejmë motiv edhe më të madh për të dhënë maksimumin dhe për të marrë tre pikët. Skënderbeu vjen pas një periudhe të mirë, me rezultate pozitive, por ne mendojmë të marrim maksimumin.

Lojërat i kemi pasur të mira, pavarësisht rezultateve. Kemi pasur shanset tona për të fituar, por nuk kemi arritur të shënojmë. Patjetër duhet të bëjmë ndryshe nesër, duhet të bëjmë mbi maksimumin. Nuk duhet të ketë asnjë justifikim për çfarë ka ndodhur. Duhet të mendojmë për ndeshjen dhe të marrim tre pikët”. /abcnews.al