Shkarkimi i Metës, juristi: Kushtetuesja do të sillet politikisht, vendimi ndoshta brenda 15 ditëve

schedule19:47 - 1 Shkurt, 2022

schedule 19:47 - 1 Shkurt, 2022

Seanca e mbajtur në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e shkarkimit të presidentit Ilir Meta është ndërprerë mbrëmjen e së martës për t’u mbledhur sërish të enjten kur do të dëgjohet edhe pala e Presidencës.

Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, juristi Sokol Hazizaj u shpreh se ky gjykim do të mbetet në historinë e gjykimeve kushtetuese me shumë rëndësi. Gjatë seancës së sotme, përfaqësuesi i presidentit Bledar Dervishaj paraqiti një kërkesë parapake, sipas së cilës, secili prej anëtarëve të Gjykatës duhet të shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes.

Dervishaj renditi një seri faktesh dhe rrethanash që, sipas tij, vënë në dyshim paanësinë e trupës gjykuese dhe gjykimin me objektivitet të çështjes.

“Presidenti ka humbur tërësisht besimin te kjo trupë, e cila nuk garanton procesin e rregullt ligjor dhe as paanshmërinë e saj”, – u shpreh Dervishaj, duke saktësuar që nëse kërkesa për dorëheqje nuk do të merrej në konsideratë, atëherë ai kërkonte përjashtimin e të gjithë trupës.

Hazizaj shpjegoi se në çdo vendimmarrje, Kushtetuesja do ta arsyetojë vendimin e sotëm dhe se cilat ishin shkaqet që nuk pranoi përjashtim të 2 apo 3 gjyqtarëve.

“Kjo është risi, një moment delikat i një vendimmarrje kushtetuese jo në kuptimin e gjykimit. Gjyqtarë zëvendësues nuk ka, vetë Kushtetuesja nuk është e plotësuar.”

Juristi solli në vëmendje që vetë produkti i kësaj seance vjen nga një kuvend që ka qenë i ceduar. Sipas tij, në këtë rast, Gjykata Kushtetuese do të sillet politikisht.

“Sepse vendimi i Kuvendit, nuk ka në dorë një akt të prodhuar nga presidenti të karakterit administrativ që të përbëjë krim, ose vepër penale.”

Por sa kohë mund të marrë Kushtetuesja deri në marrjen e një vendimi? Juristi thotë se ndoshta në 10 ose 15 ditë do të kemi një vendim.

“Gjykimet normale i ligj një afat njëmujor. Në rastin konkret nuk ka afat, por sa më shpejt të jetë e mundur. Ndoshta 10 deri në 15 ditë dhe pastaj është botimi në fletoren zyrtare.”

“Nuk mendoj se Kushtetuesja do të lejohet të kalojë një afat jo më shumë se 15 ditë. Situata na e krijon atë që do të ndodh afërsisht.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!