Belgjika nuk do ta zhvillojë ndeshjen e Ligës së Kombeve me Izraelin më 6 shtator për shkak të frikës për sigurinë, të paktën kështu njoftoi mesditën e kësaj të marte, Federata Belgjike e Futbollit.
Muajin e kaluar u tha se ndeshja nuk do të luhej në stadiumin “King Baudouin”, sepse mund të nxiste demonstrata, teksa autoritetet e kishin konsideruar “të pamundur organizimin e kësaj ndeshjeje me rrezikshmëri të lartë” për shkak të tensioneve të lidhura me luftimet ndërmjet Izraelit dhe grupit ekstremist palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Qytetet e tjera belge, gjithashtu, refuzuan të organizonin ndeshjen dhe deri më tani qyteti pritës i sfidës nuk është caktuar ende, me Budapestin që përmendet si një opsion.
Shqetësimet u ngritën nga sulmi në Bruksel në tetor, ku një i armatosur islamik vrau dy tifozë suedezë para ndeshjes kualifikuese të Euro 2024 ndërmjet Belgjikës dhe Suedisë, megjithëse motivi i sulmit nuk kishte lidhje me luftën në Izrael. /i.m /abcnews.al