Shirat vënë në vështirësi të strehuarit në çadra, kryefamiljarja: S’kemi mbështetje

schedule15:46 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 15:46 - 7 Dhjetor, 2020

Nisja e shirave të dimrit ka vënë në vështirësi një numër të konsiderueshëm familjesh në rrethin e Durrësit, që jetojnë në çadra për shkak të shembjes apo dëmtimit të shtëpive nga tërmeti i një viti më parë.

Shpresa Guçe jeton prej një viti në një çadër, bashkë me vajzën e mitur dhe një tjetër anëtar të familjes.

Veç kushteve aspak njerëzore të jetesës ajo detyrohet të kalojë muajin vetëm me të ardhurat e ndihmës ekonomike në shumën qesharake prej 1.800 lekësh.

“Të rrish me një fëmijë të vogël, në një çadër është llahtari. I lutem shtetit të shikojë sa më parë gjendjen tonë”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër strukturat e pushtetit qendror dhe atij lokal janë kujdesur për këtë familje vetëm në kohën kur tërmeti e la pa shtëpi, një vit më parë, duke i siguruar një çadër të formatit të vogël dhe mjaftuar me kaq.

 “I lutem të dërgojnë ekspertë, inxhinierë… të shikojnë gjendjen tonë. Ka një vit që ka rënë tërmeti dhe asnjeri nuk ka ardhur”, tha më tej ajo.

Nisja e stinës së shirave ka sjellë vështirësi të shumta për jetesën familjeve që ende jetojnë nëpër çadra për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019, ndërsa dimri i sivjetëm parashikohet të jetë edhe më i ftohtë se i shkuari./abcnews.al/