Shifra dhe fakte: Shqipëria, e dyta në Europë për numrin më të vogël të vdekjeve nga koronavirusi, e para për masat shtrënguese

schedule11:45 - 25 Maj, 2020

schedule 11:45 - 25 Maj, 2020

Nga Ilir Beqaj

Shqipëria mbylli javën e 11të që nga rasti i parë pozitiv i konfirmuar me sëmundjen e Covid-19.

Në mbyllje të javës së 11të të prekurit kaluan numrin 1000. Janë 1004 vetë pozitivë. Në javën e fundit janë 59 raste të reja pozitive.

Janë kryer 13333 testime molekulare me shkallë të përgjithshme pozitiviteti 7,5 %.

Kanë ndërruar jetë 32 vetë. Shkalla e fatalitetit të rasteve është 3,2 %.

Deri tanë janë shëruar 795 vetë apo 79,2 % e të prekurve.

Në raport me popullsinë qarku më i prekur është qarku i Durrësit. Ndërsa Gjirokastra është qarku me asnjë rast pozitiv.

Me 351 të prekur për 1 milion banorë (2,845,000 vetë popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2020 sipas INSTAT), Shqipëria renditet e katërta në Europë midis vendeve më pak të prekura pas Greqisë (276), Sllovakisë (276) dhe Bullgarisë (347).

Me 11 fatalitete për 1 milion banorë, Shqipëria renditet e dyta në Europë midis vendeve më numrin më të ulët të fataliteteve për 1 milion banorë pas Sllovakisë (5).

Është ende shpejt për të bërë një vlerësim të përgjithshëm për përparësitë e qasjeve të ndryshme të vendeve që u prekën më pak se të tjerët nga Covid-19. N

dërthuren disa faktorë njëherësh përfshirë demografinë, profilin epidemiologjik të vendit, pozicionin gjeografik, modelin e sistemit të kujdesit shëndetësor, kapacitetet e sistemit të kujdesit shëndetësor, strukturën familjare, etj, etj. Por edhe masat administrative në frenimin e përhapjes së sëmundjes luajnë rolin e tyre.

Grafiku në vijim ilustron intesitetin e masave shtrënguese të imponuara nga qeveritë e vendeve përkatëse në 60 ditët e para që nga zbatimi i masës së parë shtrënguese. Krahasohen Shqipëria (AL – masa e parë shtrënguese daton 25 shkurt), Greqia (GR –  masa e parë shtrënguese daton 25 shkurt), Italia (IT –  masa e parë shtrënguese daton 23 janar), Serbia (SRB – masa e parë shtrënguese daton 22 janar), Suedia (SWE – masa e parë shtrënguese daton 9 mars) dhe Gjermania (D –  masa e parë shtrënguese daton 24 janar). Përzgjedhja e 6 vendeve është qasje arbitrare e imja. Ndërsa numri në kllapa përmbri emërtimit të vendit në legjendë tregon numrin e fataliteteve nga Covid-19 për 1 milion banorë në 24 maj 2020. Për të përpiluar indeksin, autorët (Universiteti i Oksfordit) kanë marrë në konsideratë 9 masa shtrënguese me një vlerësim nga 0 në 100 (mbyllja e shkollave, mbyllja e kufijve, mbyllja e vendeve të punës, etj).

Ajo që vihet re është se :

Shqipëria ka marrë shumë shpejt masa shtrënguese të avancuara. Brenda 20 ditësh Shqipëria ka kaluar nivelin 80 të treguesit.

Greqia e ka kaluar Shqipërinë në masa shtërnguese, por në mënyrë më graduale.

Serbia ka arritur në nivelin 100 të masave shtrënguese, por pas 58 ditësh.

Suedia, edhe pse është krijuar përshtypja e përgjithshme se ka qënë shumë e lehtësuar, në 40 ditë e para ka qënë më e shtrënguar se Gjermania dhe Serbia.

Në 30 ditët e para nga masa e parë edhe Italia ka qënë relativisht liberale në masat shtrënguese (Italia nuk ka zbatuar një skenar uniform në të gjithë vendin).

Aktualisht niveli i masave shtrënguese në vendet përkatëse rezulton:

  • Shqipëqri 88 (10 maj)
  • Greqi 74 (17 maj)
  • Itali 69 (15 maj)
  • Serbi 57 (18 maj)
  • Suedi 47 (18 maj)
  • Gjermani 71 (18 maj)

Të dhënat për Shqipërinë janë të para dy javëve dhe nuk tregojnë realitetin e sotëm. /abcnews.al