“Sheshi”, opozita kallëzon Arta Markun për shpërdorim detyre

schedule22:13 - 29 Janar, 2019

schedule 22:13 - 29 Janar, 2019

Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste për Integrim kallëzuan penalisht Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Sipas kallëzimit, Marku ka “shpërdoruar detyrën” kur lejoi Bujar Sheshin të kandidojë për në KLP pa pritur përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve për të.

Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste për Integrim kanë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku për rastin e prokurorit Bujar Sheshi. Sipas Autoritetit të Dosjeve, Sheshi, aktualisht anëtar i KLP-së, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Përmes kallëzimit të firmosur nga krerët e dy grupeve përkatëse parlamentare, Emdond Spaho dhe Petrit Vasili, kërkohet hetimi i Markut për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Kryeprokurorja e Përkohshme akuzohet nga opozitarët për konsumimin e kësaj vepre penale në rastin e lejimit të kandidimit për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë të prokurorit Sheshi.

Përfaqësuesit e PD dhe LSI shprehen në kallëzim se Arta Marku thirri Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve në 11 dhjetor 2018, pa pritur përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve për Emrin e prokurorit Sheshi, nëse ai kishte qënë ndonjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. “Arta Marku nuk ka përmbushur përgjegjësinë ligjore për verifikimin paraprak të kushteve ligjore të kësaj kandidature (qenia ose jo bashkëpunëtor i sigurimit te shtetit)”, thuhej në kallëzim. Në të njëjtin material kallëzues të depozituar në Prokurorinë e Tiranës, kërkohet marrja e një mase ndaluese pezullim nga detyra ose ndalim i përkohshëm i ushtrimit të saj për Markun me pretendimin se nëse vijon punën ajo mund të  prishë provat apo pengojë hetimin. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!