Sherif Kallaku i shumëkërkuar, gjiganti bullgar “josh” Teutën

schedule08:50 - 31 Maj, 2020

schedule 08:50 - 31 Maj, 2020

Sherif Kallaku dhe Teuta pritet të ndahen këtë verë, edhe pse mesfushori nënshkroi kontratën e re para pak kohësh. Fantazisti kërkohet nga disa klube, me kroatët e Lokomotiva Zagreb që disa herë kanë dërguar përfaqësues të tyre për të ta parë nga afër.

Osijek gjithashtu është raportuar se interesohet për mesfushorin e Shqipërisë U21. Gjithsesi ka konkurrencë, pasi lojtarin e duan edhe në Turqi e Bullgari. CSKA Sofia është klubi i fundit i futur në garë, sikurse raporton e përditshmja “Panorama Sport”.

Klubi bullgar, që vitet e fundit nuk ka qenë aty ku emri që ka e kërkon të jetë, duhet të gjejë marrëveshjen me Teutën për Kallakun. Nuk dihet çmimi i kartonit të tij, por në të shkuarën durrsakët kanë pretenduar të përfitojnë rreth 300 mijë euro nga transferimi i tij.

Bisedimet kanë nisur dhe mbetet të shihen se si do të përfundojnë. Kallaku këtë sezon ka qenë një lider te Teuta, madje është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij në kampionat, me tetë rrjeta të tundura në 22 ndeshje. /abcnews.al