Sherefedin Shehu: PD duhet të ishte kategorikisht kundër tryezës me Gjiknurin

schedule19:05 - 17 Janar, 2020

schedule 19:05 - 17 Janar, 2020

Në 11 shtator të 2016 e gjithë PD-ja ishte në Dibër për të nxjerrë fitues kandidatin e saj, Sherefedin Shehu të zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiak. Shehu humbi përball kandidatit të PS dhe Parti Demokratike shënjestroi Damian Gjiknurin, që drejtoi PS në ato zgjedhje. Emri i Gjiknurit  më pas doli edhe në përgjimet e “Bild” për ato zgjedhje.

Por kjo nuk e pengoi Partinë Demokratike të ulej në tryezë sërish me Damian Gjiknurin për të reformuar Kodin Zgjedhor për të eleminuar shit-blerjen e votës.

Por çfarë mendon, Sherefedin Shehu lidhur më këtë?

“Duhet të ishte kategorikisht siç ishte deklaruar më parë që PD nuk ulet me Damian Gjiknurin. Kemi një person i cili është i provuar si manipulator, vjedhës, natyrisht edhe si servil politik sepse ka qenë dora e Ramës, nuk mund të thuash që ishte autor i masakrës së Dibrës”, u shpreh Shehu.

Damin Gjiknuri nuk është i vetmi problem që sheh Shehu tek tryeza për marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës. Propozimet e tanishme të PD për kodin ai i quan të zakonshme.

“Ulja ishte e papritur, e papërgatitur, nuk ka një platformë të qartë që të garantojë votën e qytetarëve”, theksoi ai.

As shit-blerja e votës, që qëndron në thelb të marrëveshjes, nuk realizohet, sipas ish-deputetit demokrat Sherefedin Shehut.

“ Shit-blerja e votës nuk mund të ndalohet me ligj, por vetëm me vullnet”, u shpreh ai.

Në diskutimet aktuale zgjedhjet e parakohshme nuk përmenden por Shehu mendon që kjo është ajo që ka ulur PD në tryezë me PS, pas një aksioni jo të zakontë opozitar.

“Publikisht nuk është thënë asgjë, por mund të jetë njëfarë joshjeje që i është bërë PD për ta ulur në tavolinë”, u shpreh Shehu.

Partia Demokratike ka paraqitur në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore një dokument me 7 pika që kanë të bëjnë me shit-blerjen e votës, ndarjen e politikës nga krimi dhe përfshirjen e strukturave shtetërore në zgjedhje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!