Viktor Ruçi, i dyshuar si shenjestër e atentatit në Gjashtë të Sarandës ku humbi jetën biznesmeni Rexhep Ismaili, ka dhënë dëshminë e tij për grupin e hetimit.
Ai thotë se Kostandin Vogli, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat, është nipi i bashkëshortes së tij dhe shkak i konfliktit me të, është bërë një sasi të hollash, për periudhën kur gruaja e tij ka punuar në lokalin e nipit të saj.
Ruci thotë se me Voglin, kish dashur të sqarojë konfliktin por është refuzuar nga ky i fundit.
“Bashkëshortja ime ka punuar te restoranti i Kostandinit në vendin e quajtur Krorez. Në përfundim të sezonit pas llogarive është debatuar për një sasi të hollash pasi nuk i kishin bërë llogaritë mirë dhe ka qenë një konflikt midis nipit dhe tezes së tij. Dua të shpjegoj se në dhjetor të vitit 2025 jam kthyer nga Greqia pasi kam jetuar aty. Me datën 07.05.2026 unë kam qenë ulur te lokali pranë karburantit në Gjashtë me shtetasit Rexhep Ismaili, Shahini dhe Gëzim Veliu. Unë në një moment shof që kaloi makina e Kostandinit i cili ndalon te dyqani i shtetasit Lili Bani dhe shkoj ku qëndroi makina dhe shikoj Kostandinin që pasi bleu diçka në supermarket dhe doli, unë kam në anën e jashtme të makinës nga ana e pasagjerit dhe ai u fut në makinë dhe unë hyra në anën e pasagjerit dhe shikoj që ai u shtang nga prania ime dhe i them që mos u tremb se dua të sqarohem. Ai më thotë që dil nga makina nuk dua të sqarohem. Unë i them që kam unë diçka për të sqaruar dhe dal nga ana e shoferit dhe i them që hajde të pimë një kafe.
Ai nuk pranoi dhe vjen Lili së bashku me Albanën bashkëshorten e tij dhe më thotë që çfarë ke me djalin. Unë i them që është nipi i nuses time. Më pas unë e pashë që nuk donte të bisedonte dhe jam larguar dhe shkova tek tavolina ku isha. Pas rreth një ore më merr një shoku im në telefon i quajtur Armand Kanushi dhe më thotë që hajde më merr të pimë kafe. Unë erdha e mora në Sarandë dhe u kthyem përsëri tek karburanti ku në tavolinë ishte Klodi Kroi, Shahini, Rexhepi, dhe ulemi po pinim kafe. Pas rreth gjysmë ore vijnë dy makina para lokalit ngjyrë të zezë dhe shikoj që nga makina e parë del Kostandini me vëllanë Margaritin dhe u drejtuan drejt tavolinës me shkopinj në dorë dhe m’u drejtua mua dhe më goditi me shkop. Unë kam marrë karrigen dhe jam mbrojtur dhe kam shkuar drejtim lokalit në brendësi.
Në atë moment kam parë një person të tretë i cili ishte me pistoletë në dorë dhe ma drejtoi në një largësi 3 m. Personin nuk e njoha. Unë u futa në tualet dhe kam marrë në telefon djalin tim Dorian Ruçi dhe i them që merr policinë se po na qëllojnë dhe kur isha brenda në banjë dëgjova krisma dhe në këtë kohë vjen Mandi dhe më thotë që dil jashtë se vranë Rexhepin. Unë dola dhe shikojmë Rexhepin të shtrirë në tokë para lokalit. E hypëm në makinë dhe u nisëm drejt spitalit. Unë dola në rrugë dhe aty vjen një makinë të cilën unë e njihja dhe hypa në makinë dhe i them që më shpjer në shtëpi. Ai më shpuri në shtëpi, u ndërrova dhe u lava. Në këtë moment më merr në telefon nipi i tij Kentjon Ismaili dhe më thotë që çfarë ka ndodhur se s’më përgjigjet njeri. Unë i them që kanë plagosur Rexhepin por ruaj qetësinë dhe kur të vesh në spital më merr dhe mua të di se si është. Kur ai shkoi në spital më mori Kenti në telefon por nuk e kuptova çfarë më tha dhe më pas kam marrë në telefon Mandi Kanushin dhe më thotë që ka vdekur dhe më pas unë kam shkuar tek shtëpia e Rexhepit ku kishte dhe njerëz të tjerë ku kam qëndruar deri në mëngjes. Unë gjatë gjithë kësaj kam qëndruar në Gjashtë deri në momentin që është bërë varrimi i tij dhe më pas kam ardhur në polici për të deklaruar,” thotë ai./abcnews.al


