SARANDË- Është zbardhur dëshmia e Kostandin Vogli, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gjashtë të Sarandës, ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
“Se i qëndroj thënieve të mia të dhëna në deklarimin e datës 08/05/2026, të dhëna në prani të oficerit të policisë gjyqësore, i cili shpjegon se ka qenë në plazhin e quajtur Krorez dhe pasi ka kryer disa punime aty, rreth orës 19:30 kam dalë nga plazhi i Krorezës dhe kam marrë makinën time tip xhip Rava 4, targa nuk më kujtohet dhe jam nisur në drejtim të Sarandës ku kam ndaluar në Qafë Gjashte, kam marrë diçka në fast food dhe jam nisur përsëri për në drejtim të fshatit. Në vendin e quajtur lokali i mishit kam ndaluar dhe kam marrë paketë cigare, kruasan dhe banane.
Kur kthehem te makina shikoj në brendësi burrin e tezes, Viktor Ruçi, mentalisht u stepa dhe i kam thënë: “Dil nga makina, të kam ndonjë borxh.” Në ato momente më ka dhënë çelësin e makinës pasi e kishte hequr nga vendi ku ishte dhe më thotë: “Ik pak më lart që të sqarojmë.” Unë dola nga makina dhe i them: “Sqarohu këtu, s’kemi pse lëvizim,” dhe në ato momente unë marr vëllain tim Margarit në telefon dhe i them se më ka hyrë Viktor Ruçi në makinë.
Në atë moment është afruar Lili, i cili është pronari i dyqanit të mishit dhe aty u zbut muhabeti. Në atë moment unë i kam thënë Viktorit:
“Do vij te karburanti të të takoj bashkë me vëllain tim.” Kur fillova lëvizjen me makinë, pasi Viktori doli dhe iku për nga karburanti, unë kam marrë vëllain tim dhe i kam thënë mos të nisej se po vij.
Në Nivicë te lokali i Poli Gjonit takoj Lulëzim Tabakun, shokun tim, dhe i them a ke folur gjë me Margaritin dhe ai më tha jo nuk kam folur dhe unë shkoj në shtëpi, diskutova me vëllain tim dhe mora 3 shkopinj dhe makinën tip Polshe jemi nisur për në Gjashte. Gjatë rrugës që po shkoja për në Gjashte kam takuar përsëri Lulëzim Tabakun dhe u nisëm për në Gjashte për të takuar Viktorin dhe diku te Gurorja në Volloder kemi ndaluar pak dhe i them vëllait që të kthehemi pasi nuk e ndieja. Kur po bisedonim Luli na tha para na presin dhe makina të tjera dhe jemi nisur për në Gjashte. Unë isha para me makinë, Lulëzimi ishte me motor pas meje dhe makinat e tjera na ndoqën të cilat unë nuk i njihja kush ishin. Unë isha makina e parë dhe kam ndaluar te hyrja e lokalit të të ndjerit Rexhep.
Aty kam zbritur bashkë me vëllain me shkop në dorë dhe kam sharë dhe goditur me shkop por nuk e ka zënë shkopi dhe në përleshje e sipër, pasi nuk kuptoja se çfarë po bëhej, dëgjoj një të bërtitur “nori kallash” dhe futa kokën te dera e pasme e pasagjerit dhe u futa brenda dhe shikoj nga ana e lokalit një person me kallash në dorë dhe kam zbritur nga makina kam shkuar në drejtim të rrugës nga ana e karburantit dhe kam ndier që u godita në këmbë dhe në këtë kohë kam shkuar te makina, kam ndezur makinën dhe jam nisur në drejtim të fshatit Shën Vasil. Rreth 50 m në rrugë shikoj vëllain tim të cilin e mora në makinë dhe u larguam në drejtim të fshatit. Në vendin e quajtur Volloder makinën e ka marrë vëllai im pasi unë nuk isha në gjendje dhe kemi shkuar deri në fshatin Nivicë dhe aty unë kam zbritur nga makina dhe jam futur në një shtëpi të braktisur ndërsa vëllai iku në drejtim të fshatit Shën Vasil. Unë kam qëndruar në banesën e braktisur deri ditën tjetër rreth orës 13:00–14:00 ku ka ardhur avokati im dhe kemi ardhur dhe jam dorëzuar”, tha ai.


