Nga Erneta Shevroja
Kosova, të gjithë bien dakord që i dha sërish një shembull vendeve të rajonit, jo vetëm për procesin zgjedhor por edhe për të zgjedhurit, dhe sjelljen e politikanëve, sidomos ata humbës.
“Kosova vazhdon të bëjë lajm të mirë sepse ka një strukturë shumë më funksionale dhe më të besueshme në administrimin zgjedhor”, shprehet Afrim Krasniqi, politolog.
Shumë prej fituesve të zgjedhjeve lokale janë figura të reja politike e që nuk i përkasin partisë në pushtet, VETVENDOSJE. Këtë panoramë krejt e ndryshime nga Shqipëria, eksperti mbi qeverisjen, Gjergji Vurmo e shpjegon kështu:
“Qytetarët kosovarë e kanë të pamundur të tolerojnë arrogancën, mos mbajtjen e premtimeve dhe nëpërmjet zgjedhjeve japin leksione demokracie si rajonit dhe klasës së vetë politike,” Gjergji Vurmo.
Faktin që Shqipëria nuk prodhon dot liderë të rinj politikë, politologu Afrim Krasniqi e lidh me formimin e politikanëve që nuk lëshojnë karrige.
“Të gjithë liderët kryesor politikë kanë pasur diplomim, jetë dhe angazhim profesional në perëndim. Që do të thotë nuk e kanë parë Perëndimin si turist por si qytetarë që paguajnë taksa dhe respektojnë ligjet. Shqipërisë i mungon ky element. Ne jemi ndoshta të vetmit në Ballkan ku e gjithë elita politike është me formim komunist dhe e ka të pamundur ta pranojë kritikën dhe konkurrencën”, shprehet Krasniqi.
Këtë arsye e thekson dhe Vurmo.
“Në 45 vjet ne kemi pasur një nga format më të ashpra të komunizmit që ia ka dalë të formtatojë jo vetëm atë gjeneratë por dhe gjeneratën pasardhëse.”
Ekspertët bien dakord, se politika aktuale, i ka mbyllur shtigjet për lindjen e alternativave të reja në vend.
“Qytetarët nuk i lejojmë të zgjedhin dhe mënyra që na ia afrojmë është bardh e zi dhe ne nuk i themi zgjidh më të mirën por të keqen më të vogël. Ndaj qytetarët janë shumë më pragmatik për të votuar për palën që ka më shumë shanse”, Afrim Krasniqi.
Megjithatë, janë sërish qytetarët që duhet të tregojnë forcën kur thirren që të zgjedhin.
“Fakti që ne si qytetarë nuk ia kemi bërë kurrë politikanëve në Shqipëri këtë forcë tonën, i bën ata që të vazhdojnë të manipupojnë mbase për dekada të tjera, për aq sa ne nuk ua mësojmë mësimin bazë”, thotë Gjergji Vurmo. /abcnews.al/