Policia ka arrestuar drejtuesin teknik të punimeve në firmën “Xhimi”, Xhimi Tarusha dhe drejtuesin teknik të sigurisë së punimeve të firmën skela “Syla”, Ilir Bendo.
Ndërkohë në kërkim ka shpallur administratorin e skelës ‘Syla’, Petrit Syla. Shembja e skelës ditën e djeshme nga një pallat në rrugën Faik Konica shkaktoi dy viktima dhe 3 të plagosur.
Dy drejtuesit teknik janë arrestuar pas rrëzimit të skelës së një pallati 13 katësh në Tiranë, ngjarje nga e cila humbën jetën dy punëtorë e u plagosën 3 të tjerë.
Sipas policisë në pranga ka rënë drejtuesi teknik i punimeve në firmën “Xhimi”, Xhimi Tarusha dhe drejtuesi teknik i sigurisë së punimeve të firmën skela “Syla”, Ilir Bendo.
Të dy akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Në kërkim nga polica është shpallur dhe Petrit Syla administratori i firmës së skelave që po bënte termoizolimin e pallatit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Punëtorët po punonin për çmontimin e skelës pas përfundimit të rikonstruksionit të fasadës së pallatit në Rrugën Faik Konica.
Viktimat janë Ergys Brahimaj, 31 vjeç punëtor i firmës së ndërtimit “Xhimi” dhe Orjan Kodra, 36 vjeç punëtor i skelës “Syla” të cilët mbetën nën rrënojat e hekurta pas shkëputjes së skelës. 3 të plagosurit Genti Bardhi, 44 – vjeç, Euglidios Lika 34 – vjeç dhe Altin Marku, që kanë marrë plagë të rënda në trup e kokë, janë jashtë rrezikut për jetën.
Polica bën të ditur se ka nisur procedim penal edhe për punonjësit e Inspektoratit të Punës Tiranë, me akuzën e “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi ngjarja e rëndë.
5 punëtorët kanë qenë duke punuar në kate të ndryshme të skelës, në pjesën e prapme të pallatit 13 katësh.
Pas shembjes është rrëzuar pjesa e skelës nga kati i dytë deri në të dhjetin. Ndërsa një pjesë e skelës prej 3 katësh në pjesën e sipërme të pallatit ka mbetur e varur./ABC News Albania 24/7