Shembja e dy shtyllave të tensionit të lartë, MIE: Akt terrorist

schedule20:38 - 19 Shtator, 2019

schedule 20:38 - 19 Shtator, 2019

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se rrëzimi i dy shtyllave të tensionit të lartë në Korçë është një akt terrorist.

“Strukturat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit në terren kanë konstatuar sot në orët e pasdites në afërsi të rrugës së Voskopojës në Korçë, një akt terrorist për rrëzimin e një shtylle të tensionit të lartë, si pasojë e të cilës ka mbetur pa energji rajoni i Ersekës”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Mësohet se pas verifikimit të bërë nga brigada e njësisë operative u konstatua që rrëzimi i shtyllave ka ardhur si pasojë e veprimeve të qëllimshme, duke dëmtuar konstruksionet metalike të tyre. Kjo linjë furnizon me energji rajonin e Ersekës, i cili për momentin është pa energji elektrike.

Menjëherë është njoftuar Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë kanë nisur punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe zbulimin e autorëve të saj.

Nga ana e grupeve të punës të OST janë marrë masa për rikthimin e furnizimit normal me energji të këtij qyteti përmes linjave të tjera.

“Gjithashtu,grupet e punës ndodhen në terren ku po punohet, në kushte jo të favorshme atmosferike, për të evidentuar dëmet e shkaktuara dhe marrjen e masave të nevojshme për riparimin e tyre me qëllim kthimin në normaliteti të situatës”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Nga ngjarja që ndodhi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Raportohet se kabllot e shtyllave që ndodheshin buzë rrugës kanë rënë mbi një automjet, që ishte duke lëvizur në drejtim te Voskopojës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!