Shembja e banesave te Bulevardi i Ri, banorët përplasen me policinë (video)

schedule11:53 - 8 Prill, 2019

schedule 11:53 - 8 Prill, 2019

Mes tensionesh dhe kundërshtimesh të forta u shoqërua përpjekja për prishjen e banesave në zonën e Bregut te Lumit në Tiranë, të cilët kërkojnë kompensimin e shtëpive, para se të shemben nga Inspektorati Urbanistik vendor. Në drejtim të FNSH u hodhën gurë dhe sende të tjera të forta, ndërsa aksioni u shty për një ditë tjetër.

Më shumë se 3 orë ka zgjatur protesta e banorëve të zonës së Bregut të Lumit në Tiranë, të cilët preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri.

Me gurë dhe shkopinj në duar qytetarët nuk kanë lejuar fadromat Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor që të nisin shembjen e banesave të tyre pasi nuk kanë marrë ende kompensimin financiar.

Edhe ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u hodhën sende të forta por nuk u raportua për persona të lënduar. Banorët shprehen se janë njoftuar por jo se prishja e banesave do të ndodhte këtë të hënë. Protestës ju bashkuan edhe disa ish-deputete të opozitës

Bashkia e Tiranë nëpërmjet Drejtorisë së Kontrollit të Zhvillimit të Territorit ka bërë rivlerësimin e 38 banesave që i përkasin segmentit të tretë në zgjatimin e Bulevardit të Ri. Siç duket edhe në këtë dokument që ABC News e disponon, është përcaktuar kati i banesave e në të njëjtën kohë edhe vlera e kompensimit në para.

Abc News u interesua edhe pranë bashkisë së Tiranës, ku përgjigja e institucionale ishte se këta emra nuk janë pjesë e VKM 752 , dt. 05. 09. 2013 , sepse segmenti rrugor ku ndodhen këto objekte nuk ishte pjesë e projektit të miratuar të Bulevardit dhe për rrjedhojë nuk u përfshinë në VKM e shpronësimit.

Më tej të njëjta burime nga Bashkia e Tiranës pohojnë se, “këto objekte kan qenë në proces legalizimi dhe ALUIZNI i ka skualifikuar para se te miratohej, gjurma finale e “Bulevardit të Ri”. Në atë kohë , grupet e punës kishin dalë në teren dhe i kane matur , fotografuar dhe vlerësuar si objekte , por meqenëse projekti i miratuar nuk e përfshiu këtë segment nuk u futën në VKM e vitit 2013, për t’u shpronësuar./abcnews.al