Mesfushori i Milanit, Ismael Bennacer, ka rënë nën radarin e klubeve si Manchester City apo PSG-së. Algjeriani ka treguar përmes lojës së tij se është një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij Milani, i cili po fluturon këtë sezon. Lojtari së bashku me Franck Kessie kanë formuar një dyshe të frikshme në mesfushë dhe kjo ka ngjallur interesin e dy gjigantëve europianë.

Sipas raportimit të “MilanNews.it”, Guardiolës i pëlqen shumë stili i lojës së Bennacer dhe ai do të përshtatej menjëherë meji skemat e tij. Kujtojmë që 22-vjeçarit i skadon kontrata me kuqezinjtë në qershorin e vitit 2024 dhe klauzola e tij është plot 50 milionë euro.
Megjithatë, paratë nuk janë asnjë problem për dy superfuqi siç janë City apo PSG-ja. Gjithsesi është dhe vetë klubi milanez që nuk kërkon të heqë dorë nga shërbimet e lojtarit, por Bennacer mund të tundohet nga një aventurë e re larg Serie A. /abcnews.al

