Të mërkurën u luajt java e 10 e Kategorisë Superiore dhe kjo është çështja kryesore në emisionin “Pressing”. Orges Shehi, ish-trajneri i Kukësit dha opinionin e tij të përgjithshëm pas këtyre ndeshjeve, teksa shtoi se është kampionat shumë i fortë.
”Është kampionat rivalizues, Laçi e Teuta kanë marrë pikë tashmë. Tirana është vetëm tre pikë nga vendi i dytë dhe gjithçka është e mundshme. Këto gjashtë ekipe do ndërrojnë vendet nga java në javë. Vllaznia meriton komplimente sepse po vazhdon me të njëjtin stil loje.
Trajneri ka të drejtë që thotë po e gëzojnë. Unë personalisht jam fans i Vllaznisë në këtë sezon për mënyrën sesi po luajnë. Nuk arritën rezultat para një jave dhe u rikthyen. E mendojnë edhe vendin e parë sepse duket se po i menaxhojnë ndeshjet ndryshe nga në fillim, kur luanin për gjithçka. Puna e Nevilit ka pasur shumë vështirësi.
Unë nuk kam parë asnjë skuadër deri më tani të aktivizojë të rinj sa Tirana. Është gjë e mirë. Tirana është përshtatur në çdo ndeshje, duke ndërruar modul. Ia ka dalë të mos dalë pa pikë ndaj kundërshtarëve direkt. Bëri mirë në Korçë dhe duhet të kishte minimumi dy pikë më shumë”, u shpreh Shehi. /abcnews.al