Orges Shehit nuk i intereson kundërshtari në finalen e Kupës së Shqipërisë, por vetëm triumfi kundër Teutës. Durrsaku e ka të qartë që çështja e kualifikimit është e hapur dhe Kukësi duhet të bëjë maksimumin në përballjen e nesërme, që luhet prej orës 20:45 në stadiumin “Niko Dovana”.
“Është ndeshje gjysmëfinale dhe e dimë për çfarë shkojmë atje, nisur edhe nga rezultati i ndeshjes së parë. Është një përballje e vështirë dhe presim të japim maksimumin, sikurse kemi bërë në të gjitha këto ndeshjet e fundit.
Kupa ka specifikë të veçanta, luhen 180 minuta. Duke ditur rezultatin je i qartë për rezultatin që duhet marrë. Rezultati 0-0 na jep kënaqësinë që nuk kemi pësuar në fushën tonë, por duhet të paraqitemi mirë. Gjithçka është e hapur sa i takon kualifikimit”, është shprehur Shehi për faqen zyrtare të klubit të Kukësit.
I pyetur në lidhje me gjendjen fizike të skuadrës, Shehi shton: “Mund të ketë pak lodhje, luhet në periudhe jo normale. Analizat i bëjmë për kushte normale, por nuk jemi në të tilla kushte. Të luash çdo tre ditë dhe në këtë situatë, mendoj se të gjithë futbollistët janë heronj.
Do bëj maksimumin që ta freskoj skuadrën, që të ketë një gjendje optimale për ndeshjen me Teutën”. Kukësi edhe në këtë ndeshje do të ketë mungesat e Obanor dhe Shkurtaj, të cilët kanë nisur një ditë më parë përgatitjet të diferencuar dhe po mundohen të jenë gati për ndeshjet në vazhdim. /abcnews.al