Shehi: E dhimbshme të humbësh me gol aksidental, Tirana nuk dorëzohet

schedule19:47 - 17 Maj, 2021

schedule 19:47 - 17 Maj, 2021

Orges Shehi, trajneri i Tiranës, pas ndeshjes së zhvilluar me Laçin në stadiumin “Air Albania”, foli në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Superiore. Durrsaku fillimisht u shpreh: “Sigurisht që të vjen keq, pasi në këtë moment nuk ka kohë rikuperimi. Kur ndëshkohesh me gol aksidental dhimbja është e madhe. Është e shkruar se çfarë do të ndodhë dhe kjo ndodhi edhe sot”.

“Çfarë të them? Të them që nuk kam alternativa dhe sulmuesit nuk bëjnë gol? Nuk e them këtë. Fjalët të tipit të kishim këtë, të kishim atë, janë të kota në këto momente”, shtoi Shehi në deklaratën e tij.

“E ardhmja? Kur pëson humbje të tilla dhimbja është e madhe. Kemi folur me presidentin paraprakisht se çfarë lojtarësh na duhen, por fokusi ishte te ndeshjet. Ishim brenda objektivave. Do ulemi do flasim më pas. Do të luajmë për të fituar edhe dy ndeshjet e fundit, pasi kjo është fanella e Tiranës”.

“Çelhaka pësoi dëmtim në ligament, shtrëngoi dhëmbët dhe luajti pak. Na tha që nuk mundej më dhe u detyruam ta zëvendësonim”.

“Nuk është se më mungon motivimi, por kur del jashtë objektivave me një gol aksidental, pas 5 ndeshjes pa pësuar gol, nuk është e lehtë. Nuk është çështje dorëzimi, është çështje dhimbje. Më vjen keq për lojtarët, pasi kanë rikuperuar një sasi të madhe pikësh. Vazhdojmë përpara, nuk është çështje dorëzimi”. /abcnews.al