SHBA-Turqi, marrëveshje për Sirinë

schedule22:30 - 4 Qershor, 2018

schedule 22:30 - 4 Qershor, 2018

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje që shmang përplasjen mes tyre në Siri. Ministrat e Jashtëm, Pompeo dhe Çavushoglu kanë rënë dakord për një plan që mes të tjerash përmirëson edhe situatën e sigurisë në vendin e gërryer nga lufta.

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje që shmang përplasjen mes tyre në Siri dhe i jep zgjidhje situatës në një prej zonave më të nxehta të vendit të Lindjes së Mesme.

Marrëveshja është nënshkruar të hënën në Uashington nga ministrat e Jashtëm Mike Pompeo dhe Mevlut Çavushoglu. Sidoqoftë, në komunikatën për shtyp të shpërndarë nga Departamenti i Shtetit nuk jepen detaje dhe afate për përmbushjen e saj.

E kërkuar me insistim nga Ankaraja, ujdija vjen në një kohë marrëdhëniesh të tensionuara mes dy vendeve për shkak të politikave amerikane në Siri dhe zhvendosjes së ambasadës amerikane në Jeruzalem. Qeveria turke ka kritikuar ashpër Uashingtonin për mbështetjen ofruar fraksionit kurd YPG, të cilin amerikanët e konsiderojnë aleat në luftën kundër ISIS; ndërsa turqit organizatë terroriste.

Para marrëveshjes, Turqia kishte kërcënuar se do të vijonte ofensivën e saj anti-kurde në qytetin Manbixh, duke rrezikuar përplasjen me trupat amerikane të stacionuara atje. Qyteti në fjalë konsiderohet si një prej zonave më të nxehta të Sirisë për shkak se atje veprojnë trupat qeveritare siriane, grupet rebele siriane, fraksionet kurde, trupat ushtarake turke dhe ato amerikane./abcnews.al