SHBA, masakër në një gjimnaz në Teksas

schedule17:44 - 18 Maj, 2018

schedule 17:44 - 18 Maj, 2018

Një sulm me armë zjarri në një shkollë të Teksasit u ka marrë jetën 10 personave dhe ka lënë të plagosur shumë të tjerë. Policia ka arrestuar autorin dhe dyshon se ka shmangur një sulm të përmasave të mëdha, pasi pranë shkollës ka gjetur edhe sasi eksplozivi.

Dhjetë persona mbetën të vrarë dhe shumë të tjerë të plagosur nga një agresion me armë zjarri në një shkollë të mesme në qytetin Santa Fe të Teksasit, në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ndodhi rreth orës 7 e 30 të mëngjesit të së premtes, me orën lokale, në momentin kur studentët ishin mbledhur dhe po bëheshin gati për të nisur mësimin. Sipas mediave amerikane, personi i dyshuar për sulmin e armatosur është arrestuar nga forcat e rendit. Ai është një student 17-vjeçar i shkollës. Ndërkohë, një moshatar është ndaluar nën dyshimin se ka ndihmuar autorin. Pasi dëgjuan të shtënat studentët dolën me vrap nga shkolla. Jashtë ata u kontrolluan nga agjentët e policisë, që për arsye sigurie i detyruan të zbraznin edhe çantat e shpinës. Më pas agjentët bënë edhe një kontroll të shkollës dhe perimetrit përreth saj dhe gjetën eksploziv dhe pajisje artizanale për ndërtimin e bombave. Zbulimi i lëndëve plasëse në disa pika ka alarmuar autoritetet që kanë evakuuar të gjithë nxënësit dhe stafin akademik nga shkolla dhe u kanë bërë thirrje banorëve të qytetit me 13 mijë banorë që të mos prekin asnjë objekt të dyshimtë. Mësohet se dy oficerë janë mes personave të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike. Ky është rasti i tretë i incidenteve me armë zjarri në 8 ditë në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe i 22-ti që nga fillimi i vitit. Më i rëndi mbetet ai i shkurtit në Parklend të Floridës, ku mbetën të vrarë 17 studentë dhe profesorë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!