Të rinj të shumtë në Amerikë kanë protestuar përpara Shtëpisë së Bardhë kundër armëve, duke deklaruar se nuk ndihen të sigurtë në shkolla. Ndërkohë, në një shkollë të Kalifornisë një mësues ka plagosur nxënësin.
Studentë e mësues në Shtetet e Bashkuara kanë sfiduar temperaturat nën zero dhe janë mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër lirisë së armëve. Pjesëmarrësit kanë qëndruar në heshtje për 17 minuta, aq sa është numri i viktimave të masakrës së shkurtit në shkollën në Parklend të Floridës.
Gjithashtu, ata kanë mbajtur në duar parulla kundër presidentit Trump, kompanisë së lobit të armëve NRA dhe Kongresit. Më pas ata janë ngritur në këmbë me një duartrokitje të gjatë dhe kanë nisur marshimin drejt Kapitol Hill.
E ndërsa presidenti Trump ka propozuar armatosjen e mësuesve për të parandaluar masakrat në shkollat amerikane, një incident me një docent ka ndodhur në një shkollë të Kalifornisë. Teksa jepte leksione mbi sigurinë, mësuesi, i pajisur me armë, e ka shkrepur aksidentalisht atë duke plagosur një 17-vjeçar.
Rrethanat e ngjarjes nuk dihen me saktësi, por sipas mediave amerikane mësuesi e kishte drejtuar atë në tavan kur ndodhën të shtënat. Ironia qëndron në faktin se personi në fjalë supozohej të ishte një ekspert, por që tashmë është pezulluar në pritje të një hetimi./abcnews.al