Shtetet e Bashkuara rinisën të martën vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit, pak ditë nga njoftimi i presidentit Trump për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore. Në shënjestër të administratës amerikane kanë qenë guvernatori i Bankës Qendrore Iraniane, Valiollah Seif dhe një bankë iraniane me seli në Irak. Uashingtoni i akuzon subjektet në fjalë për lëvizjen e miliona dollarëve për të financuar trupat e Gardës Revolucionare iraniane, përgjegjëse sipas Amerikës për aktivitete dashakeqe në Lindjen e Mesme. Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin saktësoi se shumat e mëdha të parave kishin shërbyer për të mbështetur axhendën radikale e të dhunshme të lëvizjes shiitte Hezbollah, të cilën Amerika e konsideron një organizatë terroriste. Gjithashtu, Departamenti i Thesarit futi në listën e zezë Ali Tarzalin, nëndrejtor i departamentit për marrëdhëniet me jashtë të Bankës Qendrore Iraniane, si dhe presidentin e filialit bankar iraken, Aras Habib. Ndërkohë, Teherani zyrtar ka reaguar duke paralajmëruar se është gati të rifillojë programin bërthamor në një nivel më të lartë se më parë. “Kemi të gjitha kapacitetet dhe jemi gati të rinisim aktivitetet bërthamore në nivele shumë më të mëdha se ato përpara nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2015”, ka thënë kreu i Agjencisë Iraniane për Energjinë Atomike, Akbar Salehi. /abcnews.al
SHBA rivendos sanksione ndaj Iranit, në shënjestër bankat
schedule20:53 - 15 Maj, 2018
schedule 20:53 - 15 Maj, 2018