SHBA, policia vret të riun me ngjyrë

schedule23:59 - 13 Qershor, 2019

schedule 23:59 - 13 Qershor, 2019

Vrasja e një 21-vjeçari nga policia në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar një protestë qytetare në Memfis, e cila është kthyer shumë shpejt në një luftë urbane, që ka lënë mbi 20 agjentë të plagosur.

Të paktën 24 oficerë policie në Memfis të Shteteve të Bashkuara kanë mbetur të plagosur në një protestë që nisi pasi një agjent qëlloi për vdekje një të ri me ngjyrë. Sipas autoriteteve në Tenesi, personi në fjalë tentoi të përplaste një grup sherifësh me makinën e tij përpara se të dilte prej saj i armatosur dhe të qëllohej.

Por protestat, që nisën natën mes së mërkurës dhe së enjtes me orën amerikane, detyruan agjentët të përdornin mburoja për t’u mbrojtur nga sulmet. Manifestuesit hodhën tulla, degë peme dhe gurë ndaj oficerëve, si dhe dëmtuan disa makina të parkuara në zonë.

Kryetari i Bashkisë, Xhim Striklend përmes një reagimi në rrjetet sociale bëri gjithashtu të ditur se protestuesit kishin dëmtuar edhe disa biznese dhe dritaret e repartit të zjarrfikësve të qytetit.

Ai vlerësoi policinë për vetëpërmbajtjen përballë agresionit të qytetarëve, veprimet e të cilëve i cilësoi të pajustifikueshme. Ndërkohë, autoritetet në Tenesi kanë deklaruar se kanë nisur një hetim në lidhje me vrasjen e kryer nga sherifët.

Kanë qenë familjarët që kanë bërë identifikimin e viktimës, 21-vjeçari Brendon Ueber. Kushëriri i tij tha për një të përditshme lokale se sherifët qëlluan të paktën 20 herë ndaj tij./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!