I dërguari special i Organizatës Botërore të Shëndetit për koronavirusin ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’u tërhequr nga trupi global në mes të pandemisë.
Dr. David Nabarro paralajmëroi se kriza e Koronavirusit “do të përkeqësohet akoma më shumë në 6 muajt e ardhshëm” dhe se liderët botërorë duhet që të punojnë bashkë për të gjetur zgjidhje.
“Kjo sinqerisht nuk është ajo që njerëzit e botës kanë nevojë,” u shpreh ai.
Efekti i tërheqjes së Trump do të ndihet në buxhetin e OBSH-së, u shpreh ai ndërsa shtoi se agjencia e OKB-së është e nën financuar edhe në momentin që flasim.
Duke folur për Radio 4 të BBC, Nabarro shtoi: “ Jam me të vërtetë shumë i mërzitur. Bota ka qenë duke u përballur me një krizë madhore shëndeti në gjashtë muajt e fundit, dhe druhem se situata do të bëhet akoma më keq në 6 muajt e ardhshëm.”
“Ne na mbetet akoma shumë për të mësuar rreth virusit dhe mënyrës sesi duhet të përballemi me të. Është vërtet shumë keq që vendi më i rëndësishëm për OBSH-në në terma të buxhetit”, ka vendosur që të tërhiqet, shtoi ai më tej.
Reagimi i Nabarro-s , i cili është gjithashtu edhe profesor i shëndetit global në Imperial College të Londrës, vjen pasi Shtëpia e Bardhë informoi formalisht Kongresin për vendimin e tërheqjes nga OBSH të martën. /abcnews.al/