SHBA mision pa afat në Siri

schedule17:05 - 18 Janar, 2018

schedule 17:05 - 18 Janar, 2018

Në përpjekje për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës, presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur që misioni i Shteteve të Bashkuara në Siri të jetë pa afat. Vendimi i tij është njoftuar nga sekretari i Shtetit, Tillerson, në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Stenfordit.

Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një prani ushtarake me afat të pacaktuar në Siri, për të garantuar mposhtjen e Shtetit Islamik, për t’i bërë ballë influencës iraniane dhe për të ndihmuar në përfundimin e luftës civile.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka deklaruar se Donald Trump nuk dëshiron që të përsëriten gabimet e bëra në vitin 2011, kur trupat e Shteteve të Bashkuara u larguan nga Iraku.
Në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Stenfordit, shefi i diplomacisë amerikane ka theksuar se vendimet e marra nga Trump kanë përshpejtuar arritjen e progresit në luftën kundër ISIS. Aktualisht në Siri ndodhen rreth 2 mijë trupa amerikane dhe sipas Sekretarit të Shtetit, grupi terrorist nuk është mposhtur tërësisht.
Nga ana tjetër, Tillerson ka mohuar akuzat se administrata amerikane po stërvit milicitë aleate kurde për të krijuar një forcë sigurie për kufirin duke nënvizuar se nisma e Uashingtonit zyrtar është keqinterpretuar.
“Shtetet e Bashkuara nuk po krijojnë një forcë të re, por po punojnë në mënyrë që luftëtarët vendas të jenë në gjendje të mbrojnë zonat e çliruara nga mbeturinat e ISIS”, ka thënë Tillerson.
Lajmi për krijimin e një force sigurie shkaktoi reagimin e ashpër të Turqisë, që akuzoi Amerikën se po ndihmon në krijimin e një “ushtrie terrori” në zonat e kontrolluara nga kurdët./abcnews.al