Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ditën e sotme ishte e pranishme në Konferencën “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – Në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”.
Në këtë konferencë Kim, foli për raportet mes dy vendeve, ndërsa ka theksuar se këto raporte kanë ardhur duke u forcuar gjithnjë e më shumë në këto 30 vite.
Ambasadorja e SHBA më tej ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç bënë edhe kur mbështetën kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
“Si një Aleate e çmuar e NATO-s, Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj partneritetit tonë të sigurisë – kudo në botë. Jemi krenarë të qëndrojmë si aleatë të NATO-s bashkë me Shqipërinë.” ka thënë mes të tjerash ambasadorja Kim.
Në fjalën e saj gjatë konferencës, Kim ka shtuar se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e palëkundur në përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformën në drejtësi, për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen dhe për të krijuar kushtet për rritje gjithëpërfshirëse ekonomike.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një të ardhme demokratike, të sigurt dhe të begatë për Shqipërinë, si një anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të gjithë rajonit.” tha Kim.
Folësi kryesor në konferencë ishte studiuesi i njohur, dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë në Zërin e Amerikës, me temën Amerika dhe Shqipëria: Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë.
Zoti Biberaj tha se marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena, statike dhe të përhershme dhe se në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.
Sipas tij, veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.
“Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet” – tha zoti Biberaj.
Ai shtoi se polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë.
“Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin – zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit”- tha zoti Biberaj.
Shqipëria dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike në marsin 1991, pas 45 vjet diktature komuniste.
Megjithë egërsinë e diktaturës komuniste, shqiptarët e thjeshtë në Shqipëri dhe Kosovë panë dhe shohin tek SHBA shpresën dhe mikun e tyre më të madh.
Fjala e plotë e ambasadores Kim:
E dashur Ministre Xhaçka, Z. Rakipi, Dr. Biberaj dhe të ftuar të shquar:
Jam krenare që jam sot këtu si Ambasadore e Sh.B.A. në Shqipëri, duke festuar së bashku me kolegët tanë shqiptarë, këtë çast historik: 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
Përvjetorët si ky janë një mundësi për të menduar sa larg kemi arritur, për të shprehur vlerësim për të gjithë shqiptarët për miqësinë e fortë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve tona, për të menduar se ku duhet të shkojmë më tej dhe për t’iu ripërkushtuar punës së bashku si miqtë dhe aleatët më të afërt.
Tridhjetë vjet më parë, më 15 mars 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rifilluan marrëdhëniet e plota diplomatike pas 52 vitesh mosnjohjeje. Dhe kjo marrëveshje ishte vetëm e para nga shumë ngjarje të rëndësishme që ndodhën këtu në vitin 1991.
Do të doja të merrja disa minuta sot për të kujtuar se çfarë viti i jashtëzakonshëm ishte 1991 për Shqipërinë. George H.W. Bush ishte President i Shteteve të Bashkuara. James Baker ishte Sekretari i Shtetit. Të dy ftuan Ministrin e Jashtëm Muhamet Kapllani në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Më 15 mars, marrëdhëniet diplomatike u rivendosën zyrtarisht. Ai çast ndezi një çlirim aktivitetesh që hodhën bazat për një Shqipëri të re dhe një partneritet të ri midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Më 31 mars, saktësisht si sot 30 vjet më parë, Shqipëria mbajti zgjedhjet e para shumëpartiake të vendit që nga kapja nga komunizmi në vitin1944. Ishte një kohë ndryshimesh dhe trazirash në vend, një kohë kur populli shqiptar do të vendoste se kush duhet të ishin udhëheqësit e tij.
Pak muaj më vonë, më 22 qershor, Sekretari i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën. Rreth 300,000 shqiptarë u ngjeshën në Sheshin “Skënderbej” për të dëgjuar Sekretarin Baker t’u thoshte se “liria funksionon” dhe për t’i nxitur të ecnin përpara drejt demokracisë. Jam e lumtur që Dr. Elez Biberaj, i cili përktheu fjalimin e Sekretarit Baker, është me ne sot.
Më 1 tetor, Ambasada e SHBA në Tiranë rihapi dyert e saj me Christopher Hill-in si të Ngarkuarin me Punë dhe që u pasua nga ambasadori amerikan William Edwin Ryerson, i cili i paraqiti letrat kredenciale qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.
Viti 1991 ishte me të vërtetë një fillim i ri, jo vetëm për marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për zhvillimin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe partner ndërkombëtar.
Gjatë tridhjetë viteve të shkuara, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar dhe janë rritur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner i fortë, aleate dhe mike e Shqipërisë teksa Shqipëria forcon demokracinë e saj, hap ekonominë dhe ofron mundësi për të gjithë njerëzit e saj. Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç bënë edhe kur mbështetën kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO.
Si një Aleate e çmuar e NATO-s, Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj partneritetit tonë të sigurisë – kudo në botë. Jemi krenarë të qëndrojmë si aleatë të NATO-s bashkë me Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e palëkundur në përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformën në drejtësi, për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen dhe për të krijuar kushtet për rritje gjithëpërfshirëse ekonomike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një të ardhme demokratike, të sigurt dhe të begatë për Shqipërinë, si një anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të gjithë rajonit.
Kemi bërë shumë rrugë në 30 vjet dhe presim me kënaqësi të qëndrojmë krah për krah me ju për shumë dhjetëvjeçarë të tjerë! E.L /abcnews.al/