SHBA: Ligji duhet zbatuar njësoj për të gjithë

schedule20:50 - 25 Tetor, 2017

schedule 20:50 - 25 Tetor, 2017

Sipas SHBA, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee, u shpreh gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, se SHBA mbështet qeverinë që jep shembull se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin.

SHBA mbështesin organet e drejtësisë shqiptare për hetimet që kryejnë për zyrtare në të gjitha nivelet e administratës. I pyetur nga Zëri i Amerikës për çështjen Tahiri, Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee theksoi se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj.
“Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime. I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.”
Zyrtari i larte i DASH përmendi mbështetjen për qeverinë shqiptare në luftën ndaj korrupsionit
Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që ka dhënë shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.
Hoyt Brian Yee deklaroi gjithashtu se SHBA janë të kënaqura me përparimin e vendit tonë. Ai theksoi ndihmën e dhënë nga SHBA se bashku me Bashkimin Europian për miratimin e ndryshimeve Kushtetuese me një synim; forcimin e sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Sipas diplomatit të Uashingtonit, SHBA do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.