SHBA – Koreja e Veriut rifillojnë bisedimet

schedule22:44 - 1 Tetor, 2019

schedule 22:44 - 1 Tetor, 2019

Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Veriut do të rifillojnë shumë shpejt bisedimet dypalëshe. Takimi i parë i nivelit të lartë pas dështimit të samitit të fundit Trump-Kim do të mbahet në javën e parë të tetorit. Autoritetet në Penian janë optimiste se do të ketë zhvillime pozitive.

Korea e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet mbi çështjen bërthamore me një takim të nivelit të lartë që do të mbahet më 5 tetor.

Sipas agjencisë koreano-veriore të lajmeve KCNA, bëhet fjalë për një zhvillim që do të ndërpresë muaj të tërë ngërç, të verifikuar pas dështimit të samitit të muajit shkurt mes liderëve Donald Trump dhe Kim Jong Un.

Bisedimet do të kenë në fokus asgjësimin e programeve ushtarake të Penianit, konkretisht atë bërthamor dhe atë të raketave balistike.

Trump dhe Kim kishin rënë dakord për të rifilluar bisedimet mes dy administratave pas takimit surprizë të mbajtur në kufirin mes dy Koreve në qershor.

Sidoqoftë, parashikimet për rezultatin mbeten të zymta pasi Veriu vazhdimisht ka testuar së fundmi raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për stërvitjet e vazhdueshme ushtarake me Korenë e Jugut.

Dy vendet kanë rënë dakord për të patur një kontakt paraprak më 4 tetor, që do të pasohet nga takimi i nivelit të lartë – ka bërë të ditur agjencia KCNA duke cituar një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga zëvendës ministrja e Jashtme, Ço Son Hui.

Megjithatë, në deklaratë nuk thuhet se ku do të mbahet takimi dhe nuk jepen detaje të tjera.

“Delegatët tanë janë gati për takim. Jam e bindur se bisedimet e nivelit të lartë do të përshpejtojnë zhvillimet pozitive në marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar numri dy i diplomacisë së Penianit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!