SHBA, Kongresi prezanton raportin: Ndërhyrja e Rusisë vazhdon

schedule22:37 - 10 Janar, 2018

schedule 22:37 - 10 Janar, 2018

Kongresi amerikan ka publikuar një raport të detajuar lidhur me strategjinë e ndikimit të Rusisë jashtë dhe brenda territorit të saj. Dokumenti me mbi 200 faqe i bën thirrje presidentit Donald Trump, që të reagojë për të luftuar më shumë këtë fenomen.

Kongresi amerikan ka publikuar një raport të mërkurën, në të cilin akuzon Rusinë se ka ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj demokracisë brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu bën thirrje për një kundër-strategji të shumëanshme që të fillojë me udhëheqjen republikane. Ndërsa nënvizohet sepresidenti amerikan, Donald Trump duhet të reagojë lidhur me këtë situatë. I përgatitur nga personeli demokrat i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, raporti thotë se “regjimi i Presidentit Vladimir Putin ka krijuar një sërë instrumentash të sofistikuar për të ushtruar ndikim jashtë vendit” dhe “duket se synon të përdorë pothuajse të gjitha mjetet e mundshme për të minuar institucionet demokratike dhe aleancat trans-atlantike”.

Bazuar në hulumtime dhe shkëmbime informacioni disamujore me qeveri të huaja që janë vënë në shënjestër nga Kremlini, raporti prej 206 faqesh, dokumenton me hollësi gamën e gjerë të metodave që Rusia ka përdorur përtej kufijve të tij.

Sipas raportit, “arsenali asimetrik” i Putin përfshin: “kombinim vdekjeprurës i sulmeve konvencionale ushtarake, vrasje, fushata të dizinformimit dhe sulme kibernetike” në Ukrainë, përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi, dizinformim dhe sulme kibernetike në Gjermani, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe më tej.

Ndërkohë, raporti rekomandon ngritjen e një grupi pune me pjesëmarrjen e anëtarëve nga agjenci të ndryshme qeveritare për të luftuar ndikimin rus. Gjithashtu detajon hapat që kanë marrë vendet europiane për të luftuar këtë fenomen, si individualisht ashtu edhe si anëtarë të organizatave si NATO dhe BE. Raporti arrin në përfundimin se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në këtë drejtim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!