SHBA kërkon bisedime me Korenë e Veriut

schedule12:49 - 12 Shkurt, 2018

schedule 12:49 - 12 Shkurt, 2018

SHBA po e shikon si më të favorshme një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut, mundësisht duke mbajtur dialog. Ndërsa Koreja e Jugut çon përpara planin për të përgatitur terrenin për mbajtjen e një samiti të rrallë ndërmjet dy Koreve.

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ka bërë me dije se Uashingtoni dhe Seuli kanë rënë dakord për lidhje të mëtejshme diplomatike me Korenë e Veriut. Kjo duhet të ndodhë fillimisht me Korenë e Jugut e më pas të kalohet në bisedimet të drejtëpërdrejta dhe pa parakushte me Shtetet e Bashkuara. Përspektiva e dialogut vjen pas muajsh tension mes Phenianit, Seulit dhe Uashingtonit lidhur me programin e armëve bërthamore të regjimit komunist, me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un që kanë shkëmbyer fyrje dhe kërcënime.

Marrëdhëniet mes dy Koreve janë përmirësuar javët e fundit, me Phenianin që ra dakord të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, që mbahen në qytetin Pejongçan në Jug. Duke folur për “Uashington Post”, Pence nënvizoi se SHBA do të mbajë “fushatën e presionit” kundër Koresë së Veriut, por megjithatë do të jenë të hapur për bisedime të mundshme në të njëjtë kohë.

“Asnjë presion nuk do të hiqet nëse nuk bëhet diçka që aleanca beson se është një hap domethënës drejt denuklarizimit”, thekson zëvendëspresidenti amerikan. Ndërkohë, Koreja e Jugut ka bërë me dije se do të kërkojë mënyra për të vazhduar lidhjen me Phenianin, përfshirë përpjekjet për të bërë të mundur më shumë ribashkime për familjet e ndara gjatë luftës Koreane si dhe qëllimin për të ulur tensionet ushtarake. “Vizita tregon që Koreja e Veriut ka një dëshirë të fortë për të përmirësuar mardhëniet ndër-Koreane”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së Unifikimit pas ftesës së regjimit komunist për presidentin e Jugut, Moon Jae-in për të vizituar sa më parë të jetë e mundur Korenë e Veriut. Ky i fundit është përgjigjur duke bërë me dije se pranon ftesën dhe kërkoi krijimin e kushteve të duhura që kjo të ndodhë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!