Autoritetet amerikane kanë shqiptuar gjoba në vlerë prej rreth 1.2 miliard dollarësh ndaj bankës Bank of America, për mangësi në parandalimin e pastrimit të parave dhe shkelje të sanksioneve amerikane.
Departamenti amerikan i Thesarit bëri të ditur se masa lidhet me dështimet në identifikimin dhe raportimin në kohë të transaksioneve të dyshimta, përfshirë ato që dyshohet se kanë lidhje me rrjete të pastrimit të parave dhe veprimtari të paligjshme financiare.
Sipas autoriteteve, transaksionet e dyshimta që nuk u raportuan në kohë kapnin vlerën e më shumë se pesë miliardë dollarëve.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se dështimet e institucioneve të mëdha financiare në zbatimin e rregullave kundër pastrimit të parave dhe respektimin e sanksioneve mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe sistemin financiar të vendit.
Ai theksoi se madhësia e një institucioni financiar nuk e vendos atë mbi ligjin, shkruan euronews.
Një pjesë e gjobave lidhet me mangësitë në programin e bankës për parandalimin e pastrimit të parave. Zyra amerikane për Kontrollin e Valutës vendosi një gjobë civile prej 750 milionë dollarësh, të cilën e cilësoi si më të madhen në historinë e këtij institucioni.
Ndërkohë, Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja arriti një marrëveshje të veçantë me bankën për pagesën e 11.6 milionë dollarëve lidhur me shkelje të programeve të sanksioneve që përfshijnë Iranin dhe Rusinë, si dhe çështje të tjera të lidhura me trafikun e narkotikëve dhe terrorizmin ndërkombëtar.
Në reagimin e saj, Bank of America deklaroi se e merr seriozisht përgjegjësinë për parandalimin e krimeve financiare. Banka tha se ka investuar miliarda dollarë në teknologji dhe ka angazhuar mijëra punonjës për të luftuar këto veprimtari.
Ajo shtoi se po vazhdon të punojë për adresimin e mangësive të identifikuara nga rregullatorët amerikanë.


