SHBA: Do asgjesojmë raketat ruse

schedule23:43 - 2 Tetor, 2018

schedule 23:43 - 2 Tetor, 2018

Samiti i vendeve të NATO-s i planifikuar për të mërkurën do të zhvillohet mes tensioneve të reja mes Amerikës dhe Rusisë. Uashingtoni ka akuzuar Moskën se zotëron raketa të ndaluara në bazë të një traktati të vitit 1987 dhe ka paralajmëruar me reagim ushtarak nëse një nga vendet e Aleancës sulmohet.

Kërcënimi i një diplomateje amerikane për asgjësimin e raketave ruse, prania e të cilave sipas Uashingtonit shkel traktatin për kontrollin e armëve të nënshkruar gjatë Luftës së Ftohtë, duket se kanë rritur tensionet me Moskën në prag të samitit të NATO-s që mbahet të mërkurën në Bruksel.

Ka qenë ambasadorja amerikane në NATO, Kej Bejlli Haçinson që ka rikthyer në vëmendje përplasjen mes dy superfuqive, duke akuzuar Kremlinin se ka shkelur marrëveshjen e vitit 1987. Traktati ndalon një kategori armatimesh, atë të raketave tokë-ajër me rreze të mesme veprimi, që mund të godasin objektivin në një distancë nga 500 deri në 5.500 kilometra.

Tani amerikanët insistojnë se Moska ka pajisje të tilla në depozitat e saj, të njohura nga NATO si “SSC-8”, pavarësisht mohimit të vazhdueshëm të Kremlinit. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Rusisë të kryejë një sulm bërthamor ndaj vendeve anëtare të Aleancës në një distancë dhe kohë shumë të shkurtër.

Ambasadorja Haçinson deklaroi se Shtetet e Bashkuara duan të gjejnë një zgjidhje diplomatike për këtë problem, por la të kuptohej se ato kanë edhe një opsion ushtarak nëse Rusia vijon me prodhimin e këtij armatimi.

“Në një moment do të shqyrtojmë asgjësimin e atyre raketave që mund të sulmojnë një nga vendet tona”, shtoi ambasadorja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!