SHBA, demokratët përshpejtojnë hapat për inkriminimin e Trump

schedule20:45 - 12 Shtator, 2019

schedule 20:45 - 12 Shtator, 2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një rezolutë për përshpejtimin e hetimeve mbi ato raste që mund të çojnë në inkriminimin e presidentin Donald Trump. Duke reaguar, republikanët e kanë quajtur nismën një farsë që synon të dëmtojë figurën e kreut të shtetit.

Komisioni për çështjet gjyqësore në Kongresin amerikan votoi të enjten për intensifikimin e hetimeve mbi presidentin Donald Trump, për të vendosur më pas nëse do të rekomandojë inkriminimin e tij. Paneli prej 41 anëtarësh miratoi një rezolutë që i lejon të caktojë seanca dëgjimore, t’u bëjë dëshmitarëve pyetje më agresive dhe të përshpejtojë hapat e hetimit në ato aspekte që mund të rezultojnë më eksplozive për presidentin dhe Kongresin gjatë kohës që kontrollohej nga republikanët. “Me proçedurat e reja ne do të nisim javën e ardhshme një seri seancash për të hetuar dyshimet për korrupsion, pengim të drejtësisë dhe abuzim me pushtetin që rëndojnë mbi presidentin”, deklaroi kryetari i komisionit gjyqësor, Xherold Nedllër, pas votimit me 24 vota pro dhe 17 kundër. Nga ana e tyre republikanët e hodhën poshtë nismën e demokratëve dhe e quajtën rezolutën e miratuar prej tyre një “fantazi”. Ata thanë se demokratëve u mungojnë votat për të marrë një autorizim zyrtar nga Kongresi për të hetuar, sikurse ndodhi në rastin e epokës Uotërgejt, apo në atë të ish-presidentit Bill Klinton. Në reagimin e tij, kryetari i republikanëve në komisionin gjyqësor, Dag Kollins tha se rezoluta thjesht i jep komisionit kompetenca që i ka patur gjatë gjithë kohës. /ABC News Albania 24/7