SHBA, arrestohet çifti/Mbante lidhur me zinxhirë 13 fëmijët e tij

schedule12:27 - 16 Janar, 2018

schedule 12:27 - 16 Janar, 2018

Policia amerikane ka çliruar 13 fëmijë që mbaheshin në kushte të rënda dhe të lidhur me zinxhirë nga prindërit e tyre në një banesë në Kaliforni.

Një çift bashkëshortësh në Kaliforni është arrestuar pasi policia ka zbuluar se 13 fëmijët e tyre mbaheshin në kushte të rënda, disa prej të cilëve të lidhur me zinxhirë në shtretërit e tyre. David Allen Turpin dhe Louise Anna Turpin, përkatësisht 57 dhe 49 vjeç, akuzohen për ushtrim torture dhe vënie në rrezik të jetës së fëmijëve. Policia u informua për situatën e rëndë nga një prej fëmijëve të çiftit, një vajzë 17-vjeçare. Kjo e fundit, e cila dukej sikur ishte 10 vjeç për shkak të kequshqimit dhe kushteve të rënda të jetesës, kishte arritur të arratisej dhe të telefononte në numrin e emergjencës përmes një celulari të gjetur brenda në shtëpi. Kur bastisën banesën, agjentët gjetën një pjesë të fëmijëve të lidhur në shtretërit e tyre me zinxhirë, të bllokuar me dryn. Gjithashtu, në banesë vinte një erë e fortë karburanti. Oficerët u shprehën të tronditur nga zbulimi, edhe për faktin se 7 prej fëmijëve ishin të rritur, të moshave nga 18 në 29 vjeç. “Viktimat dukeshin të kequshqyer dhe ishin shumë, shumë pis”, deklaroi një zyrtar i policisë. Fëmijët janë dërguar për kontroll shëndetësor në spital. Duke komentuar gjendjen e tyre, drejtori i strukturës, doktor Mark Uffer tha se nuk u besonte syve për atë që kishte parë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!