Testet bërthamore të nivelit të ulët janë bërë shkas për replika të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ndërsa Uashingtoni ka akuzuar Moskën se po shkel moratoriumin që ndalon teste të tilla, Kremlini është përgjigjur duke i quajtur deklaratat e palës amerikanë të papërgjegjshme.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia mund të jetë duke kryer teste bërthamore të nivelit të ulët, duke shkelur moratoriumin që ekziston për manovra të tilla. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Agjencisë Mbrojtëse të Inteligjencës, gjenerali Robert Eshli, në një forum të mbajtur mbi kontrollin e armëve.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia nuk po iu përmbahet detyrimeve të saj që rrjedhin nga moratoriumi”, ka deklaruar zyrtari i lartë.
I negociuar në vitet ‘90, Traktati Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore gëzon mbështetje globale, por duhet të ratifikohet nga 8 vende të tjera të pajisura me teknologji bërthamore në mënyrë që të hyjë në fuqi.
Mes vendeve në fjalë janë Izraeli, Irani, Egjipti dhe vetë Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Rusia e ka ratifikuar në vitin 2000.
“Ne besojmë se ata kanë kapacitetet e duhura për të kryer teste të tilla”, ka shtuar gjenerali Eshli.
Duke reaguar, një zyrtar i komisionit të mbrojtjes në Parlamentin rus i ka cilësuar deklaratat e oficerit amerikan si të papërgjegjshme.
“Testet bërthamore nuk mund të kryhen fshehurazi”, ka deklaruar Vladimir Shamanov për agjencinë e lajmeve “Interfaks”./ABC News Albania 24/7

