Sezoni turistik në Shkodër, Spahia: Fokusi ynë te përmirësimi i ofrimit të shërbimeve e pastërtia

schedule20:04 - 27 Maj, 2022

schedule 20:04 - 27 Maj, 2022

Fokusi i Bashkisë Shkodër këtë sezon turistik do të jetë te rregullimi i infrastrukturës dhe mbajtja pastër e zonave si Velipoja dhe Shiroka. Kjo sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia. Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, Spahia tha se vëmendje të veçantë ka marrë edhe garantimi i hapësirave publike, përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, gjelbërimit, ndriçimit, etj.

“Fokusi ynë është te stimulimi i këtij turizmi në periudha të ndryshme, me fokus te turizmi detar dhe ai malor. Ka vend që t’i shfrytëzojmë maksimalisht të gjitha resurset që ka bashkia… Vëmendje të veçantë ka marrë garantimi i hapësirës publikë,  përmirësimi i ofrimit të shërbimeve, përmirësimi i situatës të gjelbërimit. Ndryshimi i sistemit të ndriçimit në sheshin e Velipojës, investime në pedonale.”

Ndërsa, duke u ndalur tek plazhet, kryetari i bashkisë Shkodrës tha se vendin e parë e mbajnë turistët nga Kosova, Maqedonia e Veriut por edhe ata ditorë që vijnë nga Mali i Zi.

Por, do të ketë rritje të çmimeve këtë sezon në Shkodër? Spahia thotë se pushteti lokal ka në dorë vetëm të kontrollojë që të mos abuzohet, por nuk mund të shmanget influenca e zhvillimeve ndërkombëtare ekonomike pas luftës në Ukrainë.

“Ka një rritje aktuale të çmimeve. Ankesat fillojnë që me rritjen e kostos së transportit, ne s’mund ta ndikojmë. S’ka ulje të numrit të qytetarëve që zgjedhin të kalojnë pushimet në zonat turistike të Shkodrës.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!