TIRANË– Një ditë pas fillimit të sezonit të ri parlamentar, Edi Rama mbledh drejtuesit politikë dhe ministrat, në vijim të sfidës së tij të re, për vendosjen e një tjetër raporti me publikun.
Të zgjedhurit socialistë analizuan takimet në terren dhe shqetësimet kryesore të mbledhura nga qytetarët.
Në mbledhje iu dhanë porosi dhe zëvendësministrat e caktuar si zëdhënës dhe persona kontakti me publikun në ministritë e tyre, në një tjetër shenjë se kreu i socialistëve e ka seriozisht mbledhjen e rripit brenda shumicës socialiste, në kuvend dhe qeveri.
Politologu i njohur Roland Lami, i ftuar në “Tirana Live” tha se më këto lëvizje, Partia Socialiste duket se po përgatitet seriozisht për zgjedhjet lokale, të cilat mbahen në pranverën e vitit 2027.
Ai theksoi se kjo është një nismë e zgjuar e PS në krahasim me PD, e cila është shumë hapa mbrapa në këtë drejtim
“Unë do e konsideroja më tepër një fillim fushate për PS, pasi vitin tjetër janë zgjedhjet lokale. Një nismë e zgjuar në krahasim me PD, e cila në prag të zgjedhjeve lokale nuk shikojmë asnjë aksion tek ajo për të përgatitur zgjedhjet që janë së shpejti. PS edhe herë tjetër ka qenë hapa përpara dhe në këtë kuptim ka qenë dhe bilanci i marrë për zgjedhjet”, tha ai.
Ai analizoi edhe kampin opozitar për sezonin e ri politik, ndërsa thotë se në PD edhe pse u fol për ripërtëritje, në lista u vunë sërish njerëz, që nuk mund t’i dalin kundër kreut të partisë Sali Berisha. Sipas tij, PD e humbi sërish trenin, i cili mund ta dërgonte drejt fitoreve në zgjedhjet lokale./abcnews.al

