Sezon i ri për vetingun në drejtësi

schedule12:21 - 22 Shtator, 2017

schedule 12:21 - 22 Shtator, 2017

Bashkë me legjislaturen e re parlamentare këtë shtator nis dhe një sezon i ri përpjekjesh për zbatimin e reformës në drejtësi, duke nisur me një nga ligjet kryesore, ate të Vetingut. Komisioni i Ligjeve po diskuton për organikën e institucioneve të vetingut. Qeveria po u vë në dispozicion infrastrukturën e nevojshme. Ndërsa Operacioni Ndërkombetar i Monitorimit dërgon këtë javë në Tiranë 8 vëzhgues afatgjatë.

Shtatori 2017 duket se shënon nisjen e sezonit të vettingut. Gjatë këtyre javëve, hapat në këtë drejtim ndjekin njëra-tjetrën me shpejtësi, si nga institucionet në Tiranë ashtu edhe në Bruksel. Nga kryeqendra e Europës mbërriti lajmi pak ditë më parë se kanë filluar të mbërrijnë në Shqipëri vëzhguesit ndërkombëtarë që do të monitorojnë procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Bëhet fjalë për një ekip prej 8 vetash, ekspertë juristë, që do të qëndrojnë për një periudhë kohore afatgjatë në vendin tonë. Shtatë prej tyre vijnë nga vende të Bashkimit Europian ndërsa një tjetër është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tetëshja në fjalë ka marrë emrin si “rojet e vettingut”, pasi konsiderohet si garancia se procesi i skanimit etiko-moral dhe profesional i gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të zhvillohet sipas standardeve më të larta.
Ndërkohë, në Tiranë, Qeveria e Kryeministrit Rama, në mbledhjen e saj të parë, fill pas betimit pranë Presidentit të Republikës, miratoi një vendim për dhënien në përdorim të përkohshëm të ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve, institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisionerëve publikë, deri në përfundim të proçesit të vettingut. Në mbledhjen e dytë të Qeverisë u mor gjithashtu një tjetër vendim në lidhje me infrastrukturën e këtyre institucioneve.
Edhe Parlamenti, me të nisur legjislatura e re, rezulton i angazhuar pikërisht me procesin e vettingut. Komisioni i Ligjeve prej disa ditësh po diskuton në lidhje me organikën e institucioneve të vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka paraqitur për miratim organikën e tij dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Miratimi i tyre në komision e më pas në seancën plenare, do t’i hapë rrugë nisjes efektive të procesit të vettingut, rezultatet e të cilit kërkohen me ngulm nga Brukseli, për të hapur negociatat me Tiranën qershorin e ardhshëm.