Serbi, mbetet e ulët pjesëmarrja e shqiptarëve në votime / Vetëm 4.8% kanë votuar në Preshevë, 8.6% në Bujanoc

schedule13:27 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 13:27 - 17 Dhjetor, 2023

Deri në orën 12:00, vetëm 4.8% e votuesve shqiptarë kanë ushtruar të drejtën e votës në Preshevë, teksa në Serbi po mbahen zgjedhjet parlamentare dhe ato të pjesshme lokale.

Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku, e cila ndodhet në Bujanoc, raporton se pjesëmarrja vijon të jetë e ulët.

Në Bujanoc, deri më tani kanë votuar 8.6% e votuesve.

“Numri i votuesve në Preshevë është 4.8% deri në orën 12:00. Janë 2,100 votues, ndërkohë lista e votuesve është 43,500. Në Bujanoc është 8.6%, me një listë diku rreth 43,800 votues, është shifër shumë e ulët. Numri i zgjedhësve mes Preshevës dhe Bujanocit, nuk ndryshon shumë. Ka radhë të gjatë në kufirin mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës, ku ka një numër të madh qytetarësh që vijnë nga Kosova, që janë mbështetes të Shaip Kamberit.

Sistemi zgjedhor është proporcional me lista të mbyllura. Ndryshimet e bëra në vitin 2020, favorizojnë pakicat etnike, ashtu dhe shqiptarët. Një deputeti të pakicave, në këtë rast shqiptar, do t’i duheshin deri në 13 mijë vota, 3 mijë vota më pak se një deputeti të shumicës serbe. Përçarja në Luginën e Preshevës po bën që kjo të mos shfrytëzohet. Me këtë numër votuesish deri më tani, rrezikohet të mos dalë asnjë deputet. Nuk kemi parë të vijnë nga jashtë Ballkanit, kryesisht nga vendet perëndimore ku jetojnë shqiptarët”, raportoi gazetarja Karadaku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!