Serbët përkujtojnë bombardimet e NATO-s, Vuçiç në lot

schedule11:47 - 25 Mars, 2019

schedule 11:47 - 25 Mars, 2019

Në ceremoninë përkujtimore në 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, në lot para të pranishmeve, u shpreh se kjo ngjarje nuk duhej harruar kurrë dhe ajo që ndodhi ishte një krim.

Kështu kishte qenë në të njëjtën orë 20 vjet më parë… kështu ka nisur edhe tubimi përkujtimor për dy dekada më vonë.

Fillimisht qirinj dhe lutje. Serbët duhet të falin, por të mos harrojnë. Patriarku serb Irinej, ka thënë se Zoti nuk i do ngjarjet e tilla. Krahas mesazheve për paqe ka thënë se duhet ruajtur objektet e shenjta në Kosovë.

Mirosllav Gavrillovic – Irinej, Patriark i Kishës Ortodokse Serbe: “Këto janë ditë që do të donim të mos i përsëriten kurrë popullit tonë dhe jo vetëm popullit tonë, por askund në botë”.

Performancë për rrezikun nga NATO dhe herë pas here kujtime për atë se si ka qenë gjatë 78 ditë fushatë. Për ta shënuar këtë ngjarje ka arritur edhe kabineti qeverisës nga Republika Serbe e Bosnjës. Porositë kanë qenë se, kurrë nuk duhet falur.

Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës: Në Kosovë shumë kanë qenë në anën e shqiptarëve, siç kanë qenë në vendet tjera kundër nesh. Bombat nuk e kanë zgjidhur problemin e Kosovës. Vitet e ardhshme janë tonat drejt bashkimit të serbëve.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka marrë detyrë për zgjidhjen për Kosovën, tha se i drejtohet Serbisë së të ardhmes. Bombardimet për të gjithmonë do të ngelen krim.

Aleksandër Vuçiç: Gabim ka qenë ajo që kanë bërë të tjerët dhe jo vetëm gabim, por një krim dhe këtë duhet ta themi vazhdimisht pasi ka qenë krim kundër fëmijëve dhe popullit tonë. Kalimi nga politika në bomba është krim dhe Ballkani vazhdon të jetë një lëndë djegëse dhe askush nuk do të duhej të gaboj këtu. Ne duhet të fillojmë të përshëndetemi dhe jo të shikohemi përmes nishanit, të flasim me gjuhë dhe jo me plumba.

Vuçiç në fund shpërtheu në lot para publikut. E ardhmja nuk duket e lehtë pasi ende e vërteta e serbëve është larg asaj të shqiptarëve./abcnews.al